E Diel, 1 Nëntor 2026

Veliaj “rrëzohet” për paraburgimin, Apeli nuk pranon kërkesën për pezullimin e afateve

Apeli i Posaçëm rrëzoi kërkesën e Erion Veliajt për pezullimin e afateve të paraburgimit, një vendim ky i marrë më herët nga Gjykata e Shkallës së Parë.

Avokati Plarent Ndreca tha se vendimi ishte i pritshëm, madje një standard i normuar i gjykatave shqipatare, por paralajmëroi se do ta godasë në Kushtetuese.

“Nga sjellja e një të pandehuri e pëson edhe një i pandehur tjetër, që në gjykimin tonë është antikushtetuese. Ne do i ndjekim të gjitha shkallët deri në Gjykatë Kushtetuese e Strasburgut për të zhbërë këtë lloj praktike të kalcifikuar dhe që është në cenim të plotë të drejtave dhe lirive të njeriut. Arsyeja e dytë është këmbëngulja që kemi me provat dixhitale të pahapura që po kërkoj të mos preken pa prezencën tonë”, tha Ndreca.

-Dje gjykata e posaçme i dha të drejtë Ilir Beqajt për tu gjykuar jashtë kafazit, a ju jep kjo një shpresë për të mbrojturin prej jush, Erion Veliaj që mund të ndodhë e njëjta gjë?

“Është një shpresë për të gjithë ata që nuk paraqesin rrezikshmëri të posaçme dhe në kuptimin e dhunës fizike për të mos qëndruar në kafaz. Është për të gjithë ata që duan ta ushtorjnë mbrojtjen në mënyrë efektive. Është element bazik i një procesi të rregullt ligjor”, tha avokati.

Të hënën Gjykata e Posaçme vendosi që të ndajë dosjen për 7 të pandehur, përfshirë këtu edhe ish-deputeten socialiste, Klotilda Bushka dhe disa biznesmenë. Ata kanë kërkuar gjykim të shkurtuar, kërkesë e cila u pranua nga gjykata.

Në këto kushte për Erion Veliajn bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa dhe të pandehurit e tjerë që do gjykohen me procedurë të zakonshme çështja do të ri-shortohet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›