E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vëllai i kryebashkiakut të Tiranës paraqitet sërish në SPAK

Brenda 24 orëve dy paraqitje në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Bëhet fjalë për Arbër Veliajn, vëllai i kreut të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, i cili mëngjesin e kësaj të premteje ka mbërritur në ambientet e SPAK-ut, teksa mbante në duar një zarf.

Nuk dihet ende arsyeja e paraqitjes së tij në Prokurorisë së Posaçme vetëm pak orë pas së djeshmes (21 gusht), kur sikurse deklaroi ai vetë përpara gazetarëve, shkoi vullnetarisht për të sqaruar pozicionin e tij.

Kujtojmë se në kuadër të hetimeve ndaj Kryebashkiakut Veliaj, banesa dhe bizneset e të vëllait kanë qenë objekt kontrolli nga oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Veliaj ndodhet në burg që prej datës 10 shkurt të këtij viti dhe një muaj më parë u mor zyrtarisht i pandehur për akuzat e korrupsionit, deklarimit të rremë të pasurisë dhe për pastrim parash. Po ashtu nën hetim është bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, ndaj së cilës është vendosur masa e sigurisë “detyrim paraqitje”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›