E Diel, 1 Nëntor 2026

“Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës” flet përmes qelive dhe objekteve origjinale

Në qendër të Shkodrës ndodhet muzeu “Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës”, i pari muze kujtese në Shqipëri i ngritur për të ruajtur dhe dokumentuar persekutimin politik gjatë regjimit komunist.

Ndërtesa ka shërbyer fillimisht si Kolegj Françeskan, ndërsa pas instalimit të regjimit komunist u kthye në selinë e Degës së Punëve të Brendshme dhe të Sigurimit të Shtetit, ku për dekada u mbajtën dhe u hetuan të burgosur politikë. Që prej vitit 2014, godina është shndërruar në muze. Vizitorët njihen me historinë e persekutimit përmes hartës së burgjeve komuniste në Shkodër, dokumentarëve, bibliotekës dhe ekspozitës me objekte, dorëshkrime e letra të ish-të burgosurve politikë.

“Meqenëse ky është një muze tipologjik, pra është një muze i cili trajton një periudhë të veçantë të historisë së popullit shqiptar dhe, në mënyrë më specifike, të historisë së qytetit të Shkodrës, sigurisht që vizitori i cili vjen në këtë muze është një vizitor i cili ka një interes të shtuar për historinë, për kulturën në përgjithësi. Pra, është një turist i cili tërhiqet më shumë nga turizmi kulturor. Thënë kjo, sigurisht që është një turist i cili ka një lloj përgatitjeje përpara se të vijë në këtë muze, por sigurisht që ekziston edhe pjesa tjetër, që thjesht ky muze i përket pjesës së listës së atyre vendeve që turisti kërkon të vizitojë në qytetin e Shkodrës”, tha Xherardo Nikjari specialist, Muzeu “Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës”.

Pjesa e veçantë e muzeut mbeten qelitë e paraburgimit, të njohura si “birucat”, ku ruhen disa nga elementët origjinalë të përdorur gjatë hetimeve, duke e kthyer këtë hapësirë në një dëshmi të së kaluarës së errët të vendit tonë.

Gazetar: M. Gjini

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›