Vendimi- Qeveria krijon Agjencinë Kombëtare të Diasporës

Qeveria vendos për krijimin, organizimin dhe funksionimin e Agjencisë Kombëtare të Diasporës. Me propozim të ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, Këshilli i Ministrave mori vendim për krijimin, organizimin dhe funksionimin e Agjencisë Kombëtare të Diasporës, si person juridik publik buxhetor në varësi të ministrisë përgjegjëse për çështjet e diasporës, me seli në Tiranë.
Agjencia do të financohet nga buxheti i shtetit, nga donacione dhe nga burime të tjera të ligjshme. Buxheti i Agjencisë përbën zë të veçantë në buxhetin e ministrisë. Misioni i Agjencisë është që të kontribuojë, të nxisë e të promovojë rritjen e vlerave dhe të traditave më të mira kombëtare të diasporës.
Përgjegjësitë
Agjencia, në funksion të përmbushjes së veprimtarisë së saj, ka përgjegjësi të organizojë punën për përmirësimin e pozitës së diasporës dhe mbrojtjen e të drejtave dhe të interesave të saj, aty ku gjendet. Ajo do të ofrojë ndihmë për ruajtjen e gjuhës e të trashëgimisë kulturore kombëtare, do të nxisë bashkëpunimin ekonomik ndërmjet vendit të origjinës dhe diasporës, si dhe në lidhje me bashkëpunimin për prosperitet, paqen, mirëqenien, kulturën dhe solidaritetin shoqëror të të gjithë kombit.
Organizimi
Vendimi parashikon që Agjencia të organizohet në nivel qendror dhe ushtron veprimtarinë e saj në të gjithë territorin e Shqipërisë.
“Me qëllim përmbushjen e misionit e të përgjegjësive funksionale të saj, Agjencia merr masa për krijimin e bazës unike të të dhënave të diasporës, në bazë të vullnetit të lirë të personit.”, thuhet në vendim.
Ruajtja dhe përpunimi i të dhënave personale do të bëhet në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.
Agjencia zbaton politika dhe projekte që lidhen me diasporën, ndjek zbatimin e Strategjisë Kombëtare të Diasporës, mban lidhjet ndërmjet diasporës, përfaqësuesve të saj dhe vendit të origjinës, bashkëpunon e koordinon aktivitetet me institucionet shtetërore, shoqërinë civile dhe organizatat brenda dhe jashtë vendit, për përmirësimin e pozitës së diasporës në botë.
Agjencia e Diasporës do të ndihmojë edhe për ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës, të vlerave kombëtare dhe kulturore të diasporës, si dhe informon diasporën për zhvillimet në vendin e origjinës, me qëllim përfshirjen e tyre në jetën politike, ekonomike, sociale dhe kulturore të Republikës së Shqipërisë.
Për realizimin e këtyre objektivave Agjencia bashkëpunon me organizma vendas e ndërkombëtarë me fusha të ngjashme veprimtarie, me qëllim përthithjen e praktikave më të mira dhe krijimin e urave të bashkëpunimit.
Deri në fillimin e funksionimit të plotë të Agjencisë, sipas këtij vendimi, të drejtat, detyrimet dhe përgjegjësitë funksionale të Agjencisë Kombëtare të Diasporës si agjenci autonome do të vijojnë të ushtrohen sipas strukturës dhe organikës së miratuar.
Buxheti i planifikuar për Agjencinë Kombëtare të Diasporës si agjenci autonome dhe të gjitha asetet e saj transferohen pranë Agjencisë së krijuar sipas këtij vendimi.
“Nëpunësit civilë aktualë dhe punonjësit aktualë të Agjencisë Kombëtare të Diasporës, marrëdhëniet e punës së të cilëve rregullohen në bazë të dispozitave të Kodit të Punës, trajtohen përkatësisht sipas dispozitave të legjislacionit për nëpunësin civil dhe Kodit të Punës, në rastin e mbylljes e të ristrukturimit të institucionit.”, thuhet në vendim.
/rtsh.al/