Vendimi i Apelit të GJKKO-së për Berishën, PL: Turp i drejtësisë së kapur

TIRANË, 4 janar /ATSH/ Partia e Lirisë ka reaguar sot nëpërmjet sekretarit të përgjithshëm, Tedi Blushi, pas vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar që vendosi të lërë kreun e Partisë Demokratike në masën “detyrim paraqitjeje”.
“Asnjë surprizë nga vendimi absurd i Drejtësisë me Regji ndaj liderit historik të Partisë Demokratike, prof. dr. Sali Berisha. Ky krim kushtetues është një turp i ri për drejtësinë e kapur, që ka nisur prej kohësh fushatën elektorale me dhe për Edi Ramën për të siguruar mandatet e përjetshme duke persekutuar liderët e opozitës, Ilir Metën dhe Sali Berisha. Ndërkohë, provat e korrupsionit të përbindshëm për Edi Ramën ulërasin nga Shqipëria në SHBA, nga megaafera e inceneratorëve te çështja McGonigal, por afërmendsh ai livadhis i lirë krah për krah me Erion Veliaj (që duhej të ishte marrë i pandehur 8 vite më parë) dhe thithlopat e tjera të taksave të shqiptarëve sepse “Drejtësia e Re” është ulur në gjunjë para tyre duke e shndërruar peshoren e barazisë para ligjit në hanxhar kundër opozitës”, thotë ai në një postim në Facebook.
Sipas Blushit, një vendim i tillë konsiderohet një tradhti e lartë kombëtare ndaj qytetarëve. “Tradhti e lartë kombëtare ndaj qytetarëve të thjeshtë që mezi kanë pritur fundin e pandëshkueshmërisë në nivelet më të larta shtetërore”, shton Blushi.
/r.e/