Vendimi i GJKKO, Balluku: Bardhi bëri dëm të madh ndaj OSHEE-së

TIRANË, 9 janar/ATSH/ Zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë komentoi sot vendimin e Gjykatës për pushimin e çështjes që lidhet me akuzat e kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi për shpërdorime me rreth 180 milionë euro gjatë procesit të shitblerjes së energjisë nga OSHEE dhe kompanitë bija të saj.
Në një intervistë në media, Balluku sqaroi se në vendimin e gjykatës thuhet se deklaratat janë për shkak të mungesës së ekspertizës së nevojshme të Bardhit për sektorin dhe se nuk ka shkaktuar dëm. Por, deklaroi ajo, në fakt akuzat e ngritura nga Bardhi janë të rënda dhe kanë bërë një dëm të madh.
“Në vendim thuhej se duke qenë se Bardhi është politikan dhe nuk ka ekspertizë në fushën e energjisë, ajo që ka deklaruar është pa dashje dhe për këtë arsye ata vlerësojnë se nuk ka një dëm të qenësishëm ndaj OSHEE. Por, unë besoj se është një dëm i madh ndaj një kompanie publike, ku të gjithë qytetarët e Shqipërisë janë aksionarë, dhe kur energjia sot është shumë e rëndësishme për rajonin dhe ti akuzon dhe cilësohesh nga gjykata se e ka bërë pa dashje këtë akuzë“, u shpreh Balluku.
Gjykata e Posaçme e ka shpallur të pafajshëm deputetin e Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.
Bardhi u padit për shpifje nga OSHEE në lidhje me akuzat ndaj OSHEE-së, për abuzime me shitjblerjen e energjisë elektrike. /j.p/