Vendimi i Gjykatës Kushtetuese-Gjikondi: Stuhi në gotë, s’është fitore për Veliajn

Juristja Brizida Gjikondi deklaroi në emisionin “3D” të Alban Dudushit në RTSH1 se vendimi i Gjykatës Kushtetuese duke rrëzuar dekretin e presidentit Begaj dhe duke lënë në krye të bashkisë së Tiranës, Erion Veliajn që ndodhet në paraburgim, është një stuhi në gotë dhe nuk është fitore e Veliajt.
“Do ta quaja stuhi në gotë, nuk e quaj fitore të z. Veliaj. Fitoren e ka me SPAK-un me GJKKO-n ku ka tre muaj që e shtyn dhe nuk përballet me dosjen penale që ka në ngarkim. Ka 13 akuza në ngarkim dhe kemi tre muaj që shikojmë lloj-lloj manovrash të z. Veliaj dhe avokatëve të tij pikërisht që të mos përballet me thelbin, me atë që ai është në burg”, u shpreh Gjikondi.
Ajo theksoi se de fakto Veliaj nuk është kryetar i Bashkisë së Tiranës, pavarësisht se de jure është i tillë por sipas Gjikondit beteja e Veliajt është me drejtësinë.
“Sa për Gjykatën Kushtetuese, për mua personalisht, Veliaj de fakto nuk është kryetar bashkie, mund të jetë de jure ai është por nuk e ushtron dot funksionin, dhe të flasim hapur të mos i rrumbullakosim gjërat. Që nga momenti që partia e vet e shkarkoi, ajo e kandidoi dhe ajo e shkarkoi, e gjithë kjo që po ndodh tani është një hipokrizi e madhe nga Veliaj. Që nga momenti që partia e vet e ka shkarkuar që në 11 shtator në Asamblenë e Partisë Socialiste, u gjet edhe zëvendësuesi, gjithçka që bën tani më pas është një zvarritje e shëmtuar që merret me procedurë”, ndërsa shtoi se Erion Veliaj “moralisht nuk është më kryetar i Bashkisë së Tiranës. Moralisht dhe faktikisht”.
Gjikoni vuri në dukje gjithashtu se Veliaj “është i akuzuar për korrupsion të rëndë për 13 vepra penale, dhe këtë pjesë e ka me gjykatën dhe ai nuk po shkon të përballet. Partia e vet nuk e do, e shkarkoi”
/rtsh.al/