E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Vendimi i Gjykatës së Lartë për Salianjin, PD: I burgosur politik

TIRANË, 11 mars /ATSH/ Partia Demokratike ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Lartë për të mos pranuar rekurset e paraqitura nga të gjykuarit Jetmir Olldashi dhe Ervin Salianji, kundër vendimit të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.

Nga selia blu, nënkryetari i PD-së, Luçiano Boçi, deklaroi se “Gjykata e Lartë mori sot vendim për të vazhduar me shtrembërimin e drejtësisë dhe përdorjen politike të saj, duke lënë në burg Ervin Salianjin”.

“Partia Demokratike shpreh keqardhje për pamundësinë e Gjykatës së Lartë për t’u ngritur në lartësinë e rolit të saj kushtetues dhe përdorimin e saj politik”, u shpreh Boçi.

Boçi tha se “ne dënojmë përdorimin nga politika të drejtësisë, por edhe nënshtrimin apo kolaboracionizmin me të keqen të gjyqtarëve apo prokurorëve”.

“Salianji është një prej tre të burgosurve politikë të opozitës, që mbahen peng nga partia-shtet, që kërkon përjetësimin narkoshtetit përmes mashës së drejtësisë”, u shpreh Boçi.

“Ai është politikani i ri që u burgos sepse ngriti zërin kur pa njerëzit e pushtetit të ngriheshin kundër Shqipërisë duke i kanabizuar territorin”, tha më tej Boçi.

Boçi theksoi se “më 11 maj përgjigja do të jetë e qartë dhe plebishitare si për urdhëruesit ashtu dhe shërbëtorët e kësaj pengmarrjeje politike me gjykatë”.

Salianji ndodhet në burgun e Fierit prej 27 shtatorit 2024, ndërsa është dënuar për kallëzim të rremë, për dosjen e njohur me emrin “Babale”.

/a.f//r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›