E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Vendimi i KQZ: Më 23 korrik përsëriten zgjedhjet për kryebashkiak në Rrogozhinë

Me 23 korrik 2023, qytetarët e Rrogozhinës do tu drejtohen sërish kutive të votimit, për të zgjedhur kryebashkiakun e tyre. Vendimi u mor të martën nga KQZ-ja, në mbledhjen e zhvilluar nën drejtimin e kryekomisionerit për zgjedhjet, Ilirjan Celibashi.

Po në këtë mbledhje është miratuar edhe projektvendimi për miratimin e formatit dhe specifikimeve të vulës së Komisionit të Qendrës së Votimit, vulës së kryetarit të Komisionit të Qendrës së Votimit dhe vulës rezervë të Komisionit të Qendrës së Votimit, të KZAZ-së nr. 43, Bashkia Rrogozhinë, që do të përdoren në datën 23 korrik 2023, për përsëritjen e zgjedhjeve për Kryetar Bashkie.

Në Rrogozhinë do të kemi të njëjtën përballje mes kandidatit të PS-së, Edison Memolla, dhe të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Shkëlqim Hoxha.

Vendimi i KQZ-së për shpalljen e zgjedhjeve për kryebashkiakun e Rrogozhinës, erdhi pasi pak ditë më parë Kolegji Zgjedhor vendosi përsëritjen e zgjedhjeve vendore në këtë bashki, duke shpallur të pavlefshëm rezultatin e dalë nga votimet e 14 majit 2023.

Vendimi u mor pas padisë së koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”, që kundërshtonte rezultatin përfundimtar të këtyre zgjedhjeve dhe vendimin e Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve për njohjen e tyre.

Çfarë ndodhi në Rrogozhinë?

Në bashkinë Rrogozhinë diferenca mes dy kandidatëve ishte vetëm 21 vota, por ishte kutia e votimit në Burgun e Rrogozhinës, ajo që vulosi rezultatin në favor të kandidatit socialist, Memolla.

Sipas tabelës së re të rezultateve, për këtë bashki ishin 10237 vota të vlefshme, 273 vota të pavlefshme, 5129 vota për kandidatin Edison Memolla dhe 5108 vota për Shkëlqim Hoxhën e “BF”-së. Kutia e burgut, e cila u numërua e fundit,  ishte ajo që i dha fitoren kandidatit të PS-së në Rrogozhinë, pasi nga 92 vota në total, 80 ishin në favor të tij.

Koalicioni “Bashkë Fitojmë” kontestoi një kuti votimi në Burgun e Rrogozhinës, e cila përmbysi rezultatin me votat në shumicë dërrmuese për kandidatin e PS-së.

Ata i kërkuan Kolegjit që të miratonte tabelën përmbledhëse të rezultatit për kandidatët për kryetar Bashkie, duke mos përfshirë rezultatin zgjedhor të kësaj qendre votimi, që, sipas tyre, ishte ngritur në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe që ishin lejuar të votonin persona që nuk i lejonte ligji.

Sipas koalicionit “BF”, në burg ishin regjistruar si votues të dënuar që ishin transferuar në këtë burg pas miratimit të listës së zgjedhësve.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›