E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vendimi i Kushtetueses, reagon kryetari i Kuvendit të Kosovës

PRISHTINË, 5 shtator /ATSH/ Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka reagur pas vendimit të Gjykatës Kushtetues, ku mori vendim për caktimin e masës së përkohshme për ndalimin e çdo veprimi nga deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës, si dhe çdo procedurë për formimin e Qeverisë pas ankesës së Listës Serbe.

Në njoftimin e Kuvendit të Kosovës, Basha ka autorizuar administratën që vendimin e Kushtetueses t’ua shpërndajë të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

”Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Dimal Basha, ka pranuar sot Vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me vendosjen e masës së përkohshme, në rastin nr. KO265/25. Kryetari Basha ka autorizuar administratën që të njëjtin t’ua shpërndajë të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Sot, Kushtetuesja ka vendosur që masa e përkohshme të hyjë në fuqi më 5 shtator 2025, në kohëzgjatje deri më 30 shtator të këtij viti.

“Gjykata vlerëson se ndalimi i të gjitha vendimeve dhe veprimeve të deputetëve të zgjedhur të Kuvendit, dhe çdo procedurë e mëtejme për formimin e Qeverisë, mund të “evito[jë] rreziqe apo dëme të pariparueshme” që ndërlidhen me themelimin e institucioneve shtetërore dhe nxjerrjen e vendimeve në kundërshtim me Kushtetutën. Për më tepër, Gjykata vlerëson se, në kuptim të përcaktimeve të nenit 27 të Ligjit, ekzistojnë rrethana të “interesit publik” e që përfshijnë ruajtjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës. 54. Për pasojë, Gjykata, në dritën e sqarimeve të lartcekura, vlerëson se kërkesa e parashtruesve të kërkesës për masë të përkohshme duhet të miratohet, sepse i shërben “evitimit të rreziqeve ose dëmeve të pariparueshme” dhe është në “interes publik”. 55. Gjykata, në fund rithekson se, miratimi i masës së përkohshme deri më 30 shtator 2025, nuk paragjykon në asnjë mënyrë meritat e kërkesës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.

Më 26 gusht, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Kosovës, duke marrë 73 vota.

Kuvendi zgjodhi edhe tre nënkryetarë nga partitë shqiptare: Albulena Haxhiun, Vlora Çitakun dhe Kujtim Shalën.

Emilija Rexhepi u zgjodh nënkryetare nga pakicat joserbe, ndërsa konstituimi ngeci te votimi i kandidatit për nënkryetar nga pakica serbe.

Deputetët refuzuan të votonin kandidatin e Listës Serbe – partia serbe e mbështetur nga Beogradi dhe më e përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës me 9 vende.

Për shkak të refuzimit të Listës Serbe për të zëvendësuar kandidatin Sllavko Simiq për nënkryetar, kryeparlamentari i sapozgjedhur i hodhi në votim kandidatët e tjerë përmes shortit, përfshirë edhe emrin e Nenad Rashiqit, kryetarit të partisë serbe për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, i afërt me kreun e Vetëvendosjes, Albin Kurti.

As Rashiq nuk mori vota të mjaftueshme gjatë votimit, ashtu si edhe deputetët e tjerë të Listës Serbe.

/KosovaPress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›