E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendimi i qeverisë/ Krijohet Inspektorati Qendror i Punës, do ketë 5 drejtori rajonale në të gjithë vendin

Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për krijimin, organizimin dhe funksionimin e Inspektoratit Qendror të Punës (IQP), institucion që do të zëvendësojë Inspektoratin Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore.

Sipas vendimit, IQP do të jetë person juridik publik, buxhetor, me seli në Tiranë, i financuar nga buxheti i shtetit dhe burime të tjera të ligjshme. Misioni i tij do të jetë garantimi i zbatimit të legjislacionit të punës përmes kontrolleve, këshillimit, parandalimit, zbutjes së konflikteve dhe vendosjes së masave administrative kur konstatohen shkelje.

Institucioni do të ushtrojë veprimtarinë në të gjithë territorin e vendit dhe do të organizohet në dy nivele: një drejtori qendrore dhe pesë drejtori rajonale në Tiranë, Durrës, Vlorë, Korçë dhe Shkodër, të cilat do të mbulojnë të gjitha qarqet e Shqipërisë.

Ndër përgjegjësitë kryesore të Inspektoratit do të jenë kontrolli i zbatimit të legjislacionit për kushtet e punës, kohëzgjatjen e punës, pagat, sigurinë dhe shëndetin në punë, punësimin e të miturve dhe grave, si edhe ofrimi i këshillimit teknik për punëdhënësit dhe punëmarrësit.

Institucioni do të drejtohet nga një Kryeinspektor Qendror, i cili do të mbështetet nga një zëvendëskryeinspektor. Kryeinspektori do të jetë përgjegjës për organizimin dhe koordinimin e veprimtarisë së institucionit, menaxhimin e burimeve njerëzore dhe financiare, si dhe raportimin e aktivitetit përpara ministrit përgjegjës dhe Inspektoratit të Përgjithshëm.

Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore do të ristrukturohet në Inspektoratin Qendror të Punës, ndërsa procesi i riorganizimit do të përfundojë brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e vendimit. Deri në funksionimin e plotë të strukturës së re, institucioni ekzistues do të vijojë aktivitetin sipas organizimit aktual.

Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi shfuqizohet vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 295, datë 20 mars 2013, për krijimin dhe funksionimin e Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore.

V E N D I M PËR KRIJIMIN, ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN   E INSPEKTORATIT QENDROR TË PUNËS

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikave 1 dhe 2, të nenit 26, të ligjit nr.99/2024, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, dhe të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

1. Krijimin, organizimin dhe funksionimin e Inspektoratit Qendror të Punës (në vijim, IQP) si person juridik publik, buxhetor, me seli në Tiranë, në varësi të ministrit përgjegjës për punën.

2. IQP-ja financohet nga buxheti i shtetit dhe nga burime të tjera të ligjshme, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi. Buxheti i IQP-së përbën zë të veçantë në buxhetin e ministrisë përgjegjëse për punën.

3. IQP-ja ka si mision garantimin e respektimit të kërkesave ligjore në fushën e punës nëpërmjet kontrollit, konstatimit, këshillimit, njoftimit, formimit, zbutjes së konflikteve, parandalimit dhe sanksionimit, sipas përcaktimeve ligjore në ligjin e inspektimit të punës dhe atë për inspektimin në Republikën e Shqipërisë.

II. PËRGJEGJËSITË FUNKSIONALE TË INSPEKTORATIT QENDROR TË PUNËS

1. IQP-ja është përgjegjëse për verifikimin e zbatimit të kërkesave ligjore të legjislacionit të punës dhe ngarkohet:

a) të sigurojë zbatimin e dispozitave ligjore për kushtet e punës dhe mbrojtjen e punëmarrësve në ushtrimin e profesionit të tyre, për kohëzgjatjen e punës, pagat, sigurimin, higjienën e mirëqenien, punësimin e fëmijëve, të të miturve dhe grave, si dhe për çështje të tjera, që lidhen ngushtë me to, në atë masë, që struktura përgjegjëse për inspektimin e punës ngarkohen të sigurojnë zbatimin e këtyre dispozitave;

b) t’u japë të dhëna dhe këshilla teknike punëdhënësit dhe punëmarrësit për mjetet më efikase të shqyrtimit të dispozitave ligjore;

c) të vërë në dijeni autoritetin përgjegjës për mangësitë dhe abuzimet, që nuk mbulohen në mënyrë të veçantë nga dispozitat ligjore në fuqi, si dhe të propozojë mjetet e instrumentet e nevojshme për përmirësimin e gjendjes.

2. Përveç sa parashikohet në pikën 2, të kreut II, të këtij vendimi, IQP-ja është përgjegjës për çdo funksion apo kompetencë tjetër të përcaktuar nga legjislacioni në fuqi për inspektimin e punës.

III. ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI

1. IQP-ja e shtrin veprimtarinë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

2. IQP-ja organizohet në 2 (dy) nivele:

a) Në nivel qendror nëpërmjet drejtorisë qendrore;

b) Në nivel rajonal nëpërmjet 5 (pesë) drejtorive rajonale të inspektoratit qendror të punës (në vijim, DRIQP), si më poshtë:

i. Drejtoria Rajonale e Inspektoratit Qendror të Punës Tiranë (përfshin Qarkun Tiranë);

ii. Drejtoria Rajonale e Inspektoratit Qendror të Punës Durrës (përfshin qarqet Durrës e Dibër);

iii. Drejtoria Rajonale e Inspektoratit Qendror të Punës Vlorë (përfshin qarqet Vlorë, Fier dhe Gjirokastër);

iv. Drejtoria Rajonale e Inspektoratit Qendror të Punës Korçë (përfshin qarqet Korçë, Elbasan dhe Berat);

v. Drejtoria Rajonale e Inspektoratit Qendror të Punës Shkodër (përfshin qarqet Shkodër, Lezhë dhe Kukës).

3. IQP-ja drejtohet nga kryeinspektori qendror, i cili organizon e drejton të gjithë veprimtarinë e saj, si dhe përgjigjet e raporton për veprimtarinë inspektuese përpara ministrit përgjegjës dhe inspektorit të Përgjithshëm.

4. DRIQP-të drejtohen nga kryeinspektorët rajonalë.

5. Struktura dhe organika e IQP-së miratohen me urdhër të Kryeministrit, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore. Përpara dërgimit të propozimit merret mendimi i Inspektoratit të Përgjithshëm.

6. Kryeinspektori Qendror drejton veprimtarinë e IQP-së, e përfaqëson atë në marrëdhënie me të tretët, si dhe është përgjegjës për:

a) organizimin, koordinimin e funksionimin, cilësinë dhe efektivitetin e veprimtarisë së IQP-së, nëpërmjet:

i. organizimit të punës për kryerjen e veprimtarisë inspektuese për të arritur përputhshmërinë ligjore me legjislacionin e punës të subjekteve të inspektimit, mbi të cilët vepron ligji i inspektimit të punës;

ii. monitorimit dhe vlerësimit të efikasitetit të veprimtarisë inspektuese të fushës përkatëse, si dhe të masave të ndërmarra për arritjen e objektivave;

iii. organizimit të punës për hartimin e propozimin e përmbajtjes të dokumenteve standarde për inspektimin e punës dhe zbatimin e tyre në këto fusha;

iv. zbatimit të politikave sektoriale, strategjive dhe programeve të inspektimit të punës.

b) menaxhimin e burimeve njerëzore;

c) menaxhimin e burimeve financiare, zbatimin dhe administrimin e buxhetit të miratuar, si dhe përgatitjen e projektbuxhetit për vitin e ardhshëm, të cilin ia paraqet ministrit përgjegjës, në përputhje me legjislacionin në fuqi, në funksion të veprimtarisë së inspektoratit, si dhe në përmbushje të politikave të institucionit;

ç) nxjerrjen e akteve administrative të përcaktuara sipas legjislacionit në fuqi për inspektimin e punës;

d) zbatimin dhe kontrollin e zbatimit të ligjit për inspektimin dhe akteve nënligjore që rrjedhin prej tij, si dhe legjislacionit të punës;

dh) raportimin e veprimtarisë inspektuese sipas legjislacionit në fuqi për inspektimin në Republikën e Shqipërisë dhe inspektimin e punës;

e) sigurimin e kontakteve me organe homologe dhe organizata të ndryshme, vendase apo të huaja, për zgjidhjen efektive të problemeve në fushën e inspektimit të punës, si dhe veprimtari të tjera, për plotësimin e detyrave të përcaktuara në legjislacionin në fuqi për inspektimin e punës;

ë) emërimin dhe lirimin nga detyra të punonjësit, sipas procedurave të legjislacionit në fuqi;

f) emërimin në detyrë të inspektorëve të IQP-së pas paraqitjes së listës me kandidatët fitues nga Komisioni i Rekrutimit dhe Ecurisë në Karrierë, si dhe lirimin nga detyra, sipas parashikimeve në ligjin për inspektimin;

g) propozimin e kritereve specifike për arsimimin e inspektorëve të IQP-së për çdo pozicion pune, të cilat miratohen nga Inspektorati i Përgjithshëm, sipas rregullimeve ligjore në fuqi.

Kryeinspektori Qendror mbështetet nga 1 (një) zëvendëskryeinspektor qendror.

7. Drejtoria në nivel qendror e Inspektoratit Qendror të Punës është përgjegjëse dhe ka për detyrë:

a) përcaktimin e objektivave të inspektimit të punës, bazuar në politikat, strategjitë, programet, masat e hartuara nga ministria përgjegjëse që mbulon fushën e punës, sipas përcaktimeve në ligjin e inspektimit të punës dhe atë për inspektimin, si dhe identifikon treguesit kyç për vlerësimin e arritjes së këtyre objektivave;

b) hartimin e raportit vjetor mbi veprimtarinë inspektuese, i cili i paraqitet ministrit përgjegjës, drejtorit të Përgjithshëm të Zyrës Ndërkombëtare të Punës, si dhe inspektorit të Përgjithshëm;

c) marrëdhëniet me publikun dhe ndërgjegjësimin publik, nëpërmjet këshillimit e informimit të subjekteve lidhur me detyrimet ligjore, që duhet të respektohen prej tyre, në funksion të zbatimit të legjislacionit të punës, si dhe për veprimtarinë e inspektimit të punës;

ç) drejtimin dhe bashkërendimin e punës për gjenerimin, grumbullimin dhe përditësimin e të dhënave, cilësore e sasiore, në fushën e inspektimit të punës;

d) propozimin e metodave, të teknikave inovative apo të ndryshimeve ligjore, që kontribuojnë në rritjen e eficiencës në fushën e inspektimit të punës;

dh) sigurimin e unifikimit të praktikave të inspektimit të punës, në shkallë vendi;

e) bashkëpunimin e bashkërendimin e punës me organe të tjera në funksion të veprimtarisë së inspektimit të punës, si dhe me organe analoge të huaja, në fushën e inspektimit të punës;

ë) vlerësimin dhe evidentimin e nevojave për trajnime të inspektorëve, në bashkëpunim me Inspektoratin e Përgjithshëm apo me çdo institucion vendas apo të huaj;

f) hartimin e  programit vjetor e mujor të inspektimit në fushën e inspektimit të punës dhe të treguesve të tyre, që parashikohen të jenë pjesë e këtij programi, në funksion të zbatimit të ligjit për inspektimin dhe të legjislacionit të punës;

g) zbatimin e programit të inspektimit, në përputhje me aktet ligjore në fuqi, si dhe bashkërendimin e veprimtarisë së inspektimit;

gj) kryerjen e inspektimeve me urdhër të posaçëm të kryeinspektorit për verifikimin e zbatimit të legjislacionit të punës, sipas procedurës së parashikuar në ligjin e inspektimit;

h) monitorimin e kontrollin e veprimtarisë së strukturave të inspektimit të punës në nivel rajonal;

i) dhënien e mbështetjes teknike dhe administrative për veprimtarinë e inspektimit të punës;

j) kryerjen për të gjithë institucionin, duke përfshirë edhe drejtoritë në nivel rajonal të detyrave:

i. të menaxhimit të burimeve njerëzore, çështjeve ligjore, teknologjisë së informacionit, mirëmbajtjes dhe shërbimeve të tjera mbështetëse;

ii. të përgatitjes e zbatimit të buxhetit, mbajtjes së kontabilitetit dhe kryerjes së auditimit të brendshëm.

8. Drejtoritë Rajonale të IQP-së dhe kryeinspektorët rajonalë ushtrojnë këto detyra:

a) DRIQP-të ushtrojnë veprimtarinë inspektuese në territorin e juridiksionit përkatës dhe janë përgjegjëse për zbatimin në nivel rajonal të programeve, të metodologjisë dhe të udhëzimeve të inspektimit të punës;

b) Kryeinspektori i drejtorisë rajonale përfaqëson drejtorinë rajonale në marrëdhënie me të tretët në nivelin e rajonit përkatës dhe është drejtues i nivelit operacional në territorin që mbulon, si dhe përgjigjet para kryeinspektorit Qendror për veprimtarinë e inspektoratit në juridiksionin rajonal. Ai është përgjegjës për organizimin e koordinimin e funksionimit, si dhe për cilësinë dhe efektivitetin e veprimtarisë së drejtorisë së tij;

c) Kryeinspektori rajonal, përveç sa parashikon ky vendim, aktet ligjore e nënligjore të inspektimit, si dhe ligji për inspektimin e punës:

i. lëshon autorizimin e inspektimit, në përputhje dhe në bazë të programit të miratuar të inspektimit, si dhe për inspektime jashtë programit, në përputhje me ligjin e inspektimit dhe ligjin për inspektimin e punës;

ii. vendos për shtyrjen e kohëzgjatjes së autorizimit, në përputhje me legjislacionin në fuqi për inspektimin;

iii. vendos për zëvendësimin e inspektorëve, gjatë inspektimit, sipas ligjit.

ç) Kryeinspektori rajonal i raporton dhe i jep llogari drejtpërdrejt kryeinspektorit të IQP-së;

d) Inspektorët e një drejtorie rajonale kryejnë:

i. inspektime mbi bazën e planeve vjetore/mujore, me qëllim sigurimin e zbatueshmërisë së legjislacionit të punës, në funksion të zbatimit të ligjit për inspektimin dhe ligjit për inspektimin e punës;

ii. inspektime jashtë programit, në përputhje me ligjin e inspektimit dhe ligjin për inspektimin e punës, me qëllim verifikimin e zbatimit të legjislacionit të punës;

iii. inspektime në kuadër të një drejtorie rajonale tjetër, vetëm me urdhër të posaçëm të kryeinspektorit të Inspektoratit Qendror.

dh) DRIQP-të hartojnë dhe raportojnë pranë drejtorisë qendrore të IQP-së raporte periodike për rezultatet e veprimtarisë së tyre, sipas mënyrës së parashikuar nga strukturat përgjegjëse në nivel qendror dhe trajtojnë në to tema që diktohen, kohë pas kohe, nga drejtoria qendrore.

e) DRIQP-të evidentojnë nevojat për trajnime të inspektorëve, me qëllim realizimin efektiv të përgjegjësive të tyre, në lidhje me inspektimin dhe rritjen/zhvillimin e kapaciteteve njerëzore e institucionale në fushën përkatëse të inspektimit.

9. Marrëdhëniet e punës së kryeinspektorit qendror, kryeinspektorëve rajonalë dhe inspektorëve të IQP-së rregullohen sipas dispozitave të Kodit të Punës, dispozitave të ligjit për inspektimin dhe akteve nënligjore në zbatim të tij.

10. Marrëdhëniet e punësimit për punonjësit e tjerë, që ushtrojnë funksione publike, dhe për  punonjësit administrativë, që nuk ushtrojnë një funksion publik, rregullohen sipas dispozitave të Kodit të Punës.

11. Rregullorja për metodat e brendshme të punës dhe sjelljen e personelit të IQP-së miratohet nga ministri përgjegjës për punën, me propozimin e kryeinspektorit Qendror.

12. IQP-ja ka stemën, logon dhe vulën e saj zyrtare.

13. Stema e IQP-së përbëhet nga stema e Republikës së Shqipërisë, me shënimin “Republika e Shqipërisë” dhe shënimet e emërtesës së ministrisë përgjegjëse për punën dhe të Inspektoratit Qendror të Punës, në përputhje me përcaktimet e vendimit nr.474, datë 10.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës, si dhe raportin e përmasave të saj”, të ndryshuar.

14. DRIQP-të kanë stemën, logon dhe vulën e tyre zyrtare. Stema e tyre përbëhet nga stema e Republikës së Shqipërisë, me shënimin “Republika e Shqipërisë” dhe shënimet e emërtesës së ministrisë përgjegjëse për punën, të Inspektoratit Qendror të Punës dhe të drejtorisë rajonale të IQP-së (emri i qarkut, ku ka selinë inspektorati)”, në përputhje me përcaktimet e      vendimit nr.474, datë 10.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës, si dhe raportin e përmasave të saj”, të ndryshuar.

15. Vula e IQP-së dhe vulat e secilës DRIQP kanë formën dhe elementet e përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave, që përcakton rregullat e prodhimit, të administrimit, të kontrollit dhe të ruajtjes së vulave zyrtare. Vulat prodhohen, administrohen e ruhen në përputhje me legjislacionin në fuqi.

16. Vula e IQP-së në nivel qendror përmban dhe shënimin identifikues “Inspektorati Qendror i Punës”, ndërsa vulat e DRIQP-ve përmbajnë dhe shënimin identifikues: “Inspektorati Qendror i Punës, Drejtoria Rajonale e Rajonit (emri përkatës i rajonit, ku ka selinë inspektorati)”.

IV. DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT

1. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore ristrukturohet në Inspektoratin Qendror të Punës.

2. Nëpunësit civilë aktualë të Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, të cilët kryejnë funksione inspektuese, trajtohen sipas dispozitave kalimtare të ligjit nr.99/2024, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”.

3. Nëpunësit civilë aktualë të Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, të cilët kryejnë funksionet horizontale, në kuptim të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, trajtohen sipas dispozitave të legjislacionit për nëpunësin civil në rastin e mbylljes dhe ristrukturimit të institucionit.

4. Punonjësit aktualë të Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, marrëdhëniet e punës të të cilëve rregullohen në bazë të dispozitave të Kodit të Punës, vijojnë marrëdhëniet e punës pranë Inspektoratit Qendror të Punës, në përputhje me strukturën organizative të miratuar.

5. Procedurat për riorganizimin e Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore në Inspektoratin Qendror të Punës përfundojnë brenda 6 (gjashtë) muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

6. Deri në fillimin e funksionimit të plotë të Inspektoratit Qendror të Punës, Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore vazhdon funksionimin e tij, sipas strukturës dhe organikës së miratuar.

7. Ngarkohen Inspektorati i Përgjithshëm, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Departamenti i Administratës Publike dhe Inspektorati Qendror i Punës për zbatimin e këtij vendimi.

8. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, vendimi nr.295, datë 20.3.2013, i Këshillit të Ministrave, “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore”, shfuqizohet.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›