Vendoset armëpushimi 72-orësh në Sudan, Blinken thirrje palëve: Respektoni marrëveshjen

Pas negociatave intensive gjatë 48 orëve të fundit, Forcat e Armatosura Sudaneze (SAF) dhe Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF) kanë rënë dakord të zbatojnë një armëpushim mbarëkombëtar duke filluar në mesnatën e 24 prillit, për të zgjatur 72 orë.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka bërë me dije se SHBA u bëri thirrje dy palëve ndërluftuese që të respektojnë plotësisht armëpushimin e ardhshëm.
Blinken deklaroi gjithashtu se, për të mbështetur një ndërprerje të përhershme të armiqësive, SHBA do të koordinohet me partnerët rajonalë dhe ndërkombëtarë, si dhe me partnerët sudanezë nga sektori i shoqërisë civile, me qëllim krijimin e një komiteti për të mbikëqyrur negociatat, përfundimin dhe zbatimin e një ndërprerjeje të përhershme të armiqësive dhe marrëveshjes humanitare në Sudan.
“Ne do të vazhdojmë të punojmë me palët sudaneze dhe partnerët tanë drejt qëllimit të përbashkët për kthimin në qeverinë civile në Sudan”, tha Blinken.
Lufta në Sudan nisi më 15 prill mes forcave besnike të shefit të ushtrisë, Abdel Fattah al-Burhan, dhe zëvendësit të tij, Mohamed Hamdan Daglo, i cili komandon grupin paramilitar të Forcave të Mbështetjes së Shpejtë.
Dy ish-aleatët kishin marrë pushtetin përmes një grusht shteti më 2021, por më pas patën mosmarrëveshje për shkak të ndarjes së pushtetit.
Daglo tani ka thënë se grusht shteti ishte “gabim” dhe dështoi që të sillte ndryshime, ndërkaq Burhan ka shprehur bindjen se ai ishte “i domosdoshëm” për të përfshirë më shumë grupe në politikë.
Në Kartum, qytet prej 5 milionë banorësh, luftimet kanë bërë që civilët të strehohen brenda shtëpive të tyre.
Luftimet po ashtu kanë bërë që civilët të mbesin pa energji elektrike dhe furnizimet me ushqime janë pakësuar.
/rtsh.al/