E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vendosi tritolin në shtëpinë e Mziut, publikohet video e autorit, dyshohet për shpërthimin në lokal në Kamëz e ngjarje të tjera

Këto janë pamjet e siguruara nga Vizion Plus që tregojnë autorin e dyshuar të vendosjes së tritolit në banesën e deputetit të PD-së, Xhelal Mziu, ngjarje e ndodhur më 19 shtator.

Kamerat e sigurisë së banesës së Mziut kanë qënë të fikura, por disa kamera të tjera pranë banesës së tij kanë kapur momentin që tregojnë lëvizjet e personit që konsiderohet dhe dyshohet si autori i disa ngjarjeve të rënda.

Burime pranë grupit hetimor shprehen se ka dyshime se i njëjti person mund të jetë autori edhe i shpërthimit me tritol në një lokal në Kamëz. Konkretisht ky person, ende i paidentifikuar nga blutë dyshohet se fshihet pas të paktën 6 shpërthimeve të tjera të ndodhura gjatë vitit të fundit në Kamëz dhe në zona të ndryshme të kryeqytetit.

Modeli është i njëjtë në çdo rast ku autori shfaqet i maskuar, shpesh i veshur si punëtor ose me rroba të errëta, vendos lëndën shpërthyese dhe largohet me biçikletë, duke zhdukur gjurmët përpara mbërritjes së policisë.

Ndërkohë, detaje të reja dalin në dritë për shpërthimin te lokali në Kamëz, ku më herët u kapen tre persona: Jeton Lami, Florin Domi dhe Flogert Mzhika. Vetëm ky i fundit ndodhet në qeli, pasi Lami dhe Doni u lanë arrest shtëpie nga gjykata.

Burime bëjnë me dije se disa ditë para sulmit, Domi ka kontaktuar pronarin e lokalit, Saimir Sinën, për ta çuar drejt një takimi me Jeton Lamin. Referuar dëshmisë, Lami e ka kërcënuar hapur, duke i kërkuar 500 mijë euro dhe duke e paralajmëruar se, nëse nuk paguante, “pasojat do të ishin të rënda”. Menjëherë pas kërcënimeve, Sina është larguar drejt Italisë.

Nga ana tjetër, Mzhika ka shkuar tek dy kunetërit që administronin lokalin me qira dhe u ka thënë se “nuk do ta gëzoni gjatë këtë biznes.”

Hetuesit besojnë se autori i shpërthimeve është pjesë e këtij grupi kriminal, ku identifikimi i tij do të ndihmonte policinë në zbardhjen e të paktën 6 rasteve të shpërthimeve me tritol gjatë vitit të fundit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›