E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Vengu: Nga 1 shkurti, Forcat e Armatosura me paga ndër më të mirat e sektorit publik

TIRANË, 28 janar /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu deklaroi sot se, “më 1 shkurt hyn në fuqi ndoshta rritja më domethënëse në trajtimin financiar të ushtarakëve tanë”.

Në një intervistë për RTSH, Vengu u shpreh se, “duhet të kuptojmë që prej vitit 2021 deri më sot kemi pasur një rritje prej 71% në trajtimin financiar të ushtarakëve. Është rritje që prek për herë të parë 2500 ushtarakë dhe në total 6000 ushtarakë aktivë do të njohin rritje të konsiderueshme”.

“Po flasim për një rritje që e çon në fakt mesataren e pagës mbi 1000 euro në muaj për ushtarakët aktivë, çka e rendit Forcën e Armatosur në pagat më të mira të sektorit publik”, tha Vengu.

Ministri u shpreh se nga rritja përfiton shumica e personelit me uniformë të Forcave të Armatosura.

“Sidomos një pjesë që ka specifika të veçanta, qoftë në vështirësinë e punës që bën, qoftë dhe në teknologjinë që përdor, sistemet që përdor. E kam fjalën këtu për të gjithë njësinë kibernetike, të gjithë njësinë e re të përdorimit të dronëve ushtarakë, forcat speciale, ndaj të cilave kemi vëmendje të posaçme”, tha ministri.

Ministri u shpreh se ky është një trend që do të vazhdojë në vitet në vijim.

“Ne përpiqemi ta pozicionojmë veten më mirë se vendet e tjera të rajonit dhe besoj se ky vit, 2025-a na gjen më mirë se vende si Bosnja, Serbia, Kosova, Maqedonia e Veriut, madje mund të krahasohemi me paga me vende si Bullgaria apo Hungaria. Dhe ne duam ta pozicionojmë Shqipërinë në mesataren e vendeve të NATO-s tashmë dhe jo më në mesataren e vendeve të rajonit”, u shpreh Vengu.

Duke folur për industrinë ushtarake, Vengu u shpreh se, “e gjithë paketa ligjore tashmë është miratuar, madje dhe aktet nënligjore. Janë themeluar dy ente, kompania shtetërore KAYO, e cila ka rigrupuar të gjitha ish-uzinat ushtarake si një kompani shtetërore ombrellë, e cila ka filluar të bëjë negociata me një seri investitorësh të huaj nga vende aleate për prodhime municionesh, prodhim uniformash, prodhim dhe pse jo dronësh, jemi në bisedime e sipër”.

“Sa i përket institucionit tjetër, Agjencia e Industrisë së Mbrojtjes është edhe ajo tashmë e ngritur dhe funksionale. Agjencia e Industrisë së Mbrojtjes është organizmi që do të mbikëqyrë dhe do të licencojë aktivitetin, do ta monitorojë në përputhje me rregullat dhe standardet e NATO-s”, tha ministri.

Pra, shtoi Vengu, “kemi tashmë dy institucione të gatshme, një institucion rregullator dhe një institucion komercial KAYO që do të fillojë së shpejti të përmbyllë negociatat e para”.

Vengu nënvizoi se, “synimi është që ne të hyjmë në marrëveshje dhe shteti të jetë bashkaksioner në prodhim”.

Sa i përket ligjit për rezervistët, Vengu u shpreh se, “ligji sapo ka hyrë në fuqi. Ne jemi në kushtet që po finalizojmë edhe aktet nënligjore në zbatim të tij. Synimi është që në horizontin 2030 ne të rekrutojmë praktikisht 2100 rezervistë dhe në total, pra nga 10 mijë që është forca aktive, 1/5-a të jetë e përbërë nga forcë rezerviste”.

“Synimi që i kemi vënë vetes këtë vit është të rekrutojmë një kompani rreth 125 veta, sepse duhet një përpjekje për t’i inkuadruar, stërvitur të gjithë këta njerëz, për t’i kualifikuar, por jemi në kushte optimale, sepse financimi është i konsiderueshëm, janë njerëz që do të paguhen për atë shërbim dhe ç’është e vërteta nuk ka ditë që ne nuk marrim kërkesa për t’u atashuar”, tha Vengu.

Ai theksoi se forca rezerviste do të angazhohet edhe për mbrojtjen civile.

“Mekanizmi Kombëtar i Mbrojtjes Civile përbëhet nga dy komponentë. Komponenti i parë është mbrojtja civile pranë bashkive. Pra, bashkitë janë në fund të fundit entet përgjegjëse për reagimin e parë, qoftë ndaj një zjarri, ndaj një përmbytje apo një emergjence, një katastrofe të një natyre tjetër dhe më pas Forca e Armatosur vjen të plotësojë ato kapacitete në rast se bashkia gjendet në pamundësi për të reaguar plotësisht”, u shpreh Vengu.

“Strategjia jonë është e dyfishtë. Ne duam të forcojmë bashkitë pikësëpari, në mënyrë që ato të kenë sa më shumë kapacitete. Këtë vit po vihet në veprim një buxhet shumë i konsiderueshëm. Për pak ditë do të kemi dhe vendimmarrjen përkatëse në Këshillin e Ministrave, ku do të alokohet një fond i konsiderueshëm, i buxhetuar që vitin e kaluar në fakt në buxhetin e kaluar me ligj në dhjetor, dhe bashkive do t’u vendosen në dispozicion mjete financiare në mënyrë që ato të investojnë në mjete dhe pajisje të specializuara”, theksoi Vengu.

/r.e/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›