Vengu: Shqipëria do të prodhojë anije ushtarake

TIRANË, 13 nëntor/ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu deklaroi sot se Shqipëria dhe Italia do të bashkëpunojnë për prodhimin e anijeve ushtarake në Pashaliman.
Në një prononcim për mediet, Vengu ka bërë të ditur detaje nga marrëveshjet që pritet të nënshkruhen gjatë mbledhjes së përbashkët mes dy qeverive në Romë.
Ai tha se nga 16 marrëveshje të nënshkruara në Itali, tetë lidhen me fushën e mbrojtjes, industrisë ushtarake dhe mbrojtjes civile.
“Mbledhja e dy qeverinë në Romë është mbledhja e parë e këtyre përmasave në drejtimi ne dy kryeministrave Rama dhe Meloni dhe është pasqyrimi i rritjes dhe dinamikës së marrëdhënieve dypalëshe gjatë gjithë periudhës së viteve të fundit, qofte në rrafshin e investime italiane në vendin tonë dhe atë të bashkëpunimit ushtarak apo mbrojtjes civile. Nga16 marrëveshje që nënshkruajnë, 8 prej tyre janë të mbrojtjes, industrisë ushtarake dhe mbrojtjes civile. Kemi marrëveshjen e parë prej tre dekadash, hera e parë që rinovojmë partneritetin ushtarak me Italinë për shumë arsye. Brenda NATO-s, për industrinë ushtarake që duam të kemi në fokus nga të dyja anët e brigjeve të Adriatikut”, tha ai.
Vengu theksoi se “kemi dy marrëveshje gjigande që nënshkruhen mes dy kompanive shtetërore, KAYO dhe Fincantieri për prodhimin e anijeve ushtarake, dhe kjo është arritje domethënëse”.
Ai pohoi se kompania shtetërore “KAYO”, e cila është përgjegjëse për prodhimin, demilitarizimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake sipas një kontrate me kompaninë italiane, “Fincantieri”, do të prodhojë anije ushtarake.
“Prej tri dekadash kjo është hera e parë që rinovojmë partneritetin ushtarak me Italinë, për shumë arsye brenda NATO-s, për arsye të industrisë ushtarake që duam të kemi në fokus nga të dyja brigjet e Adriatikut. Kemi dy marrëveshje që nënshkruhen mes kompanisë shtetërore “KAYO” dhe gjigantit italian “Fincantieri” për prodhimin e anijeve ushtarake dhe jo vetëm në Pashaliman. Kjo është një arritje domethënëse e mbledhjes mes dy qeverive. Një marrëveshje tjetër mes “KAYO-s” dhe një kompanie tjetër italiane “Leonardo”, e specializuar në teknologjinë ushtarake, mbrojtjen kibernetike me fokus të veçantë në tryezën e dy kryeministrave”, cilësoi Vengu.
Ministri Vengu u shpreh se Italia do të asistojë palën shqiptare edhe për përmirësimin e kapaciteteve të Mbrojtjes Civile.
“Dhe vijmë edhe me një mbështetje domethënëse sa i përket Mbrojtjes Civile, ku kemi pasur një bashkëpunim të shkëlqyer me palën italiane. Këtë partneritet duam ta çojmë në një nivel edhe më të lartë me krijimin e të gjitha sistemeve të paralajmërimit të hershëm, të stërvitjes dhe të gjithë sistemit të qëndrueshmërisë së Emergjencave Civile në vendin tonë, dhe krijimin e detyrimit që buron nga BE për të pasur edhe ne numrin europian 112, ku të gjithë qytetarët apo vizitorët mund t’i referohen për çdo emergjencë që mund të kenë”, tha ministri i Mbrojtjes.
/e.i/a.f/r.e/