Vengu me trupën ushtarake shqiptare në Sarajevë: Nderojnë flamurin

TIRANË, 3 dhjetor /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, gjatë vizitës së tij në Sarajevë në kuadër të Ministerialit të Kartës së Adriatikut, zhvilloi një takim me efektivët shqiptarë që shërbejnë në misionin paqeruajtës në Bosnjë-Hercegovinë.
Gjatë bisedës me trupën, ministri Vengu shprehu mirënjohje dhe vlerësim për profesionalizmin dhe përkushtimin e ushtarakëve shqiptarë, duke theksuar se angazhimi i tyre nuk është vetëm pjesë e detyrës, por edhe një kontribut strategjik për sigurinë e rajonit dhe për objektivin e Shqipërisë drejt integrimit europian.
Ai theksoi se Shqipëria duhet të sillet si një vend anëtar i BE-së, jo vetëm në qëndrime politike, por edhe në angazhimin konkret në misione ndërkombëtare, qoftë të NATO-s, BE-së apo në rajonin e Evropës Juglindore dhe Mesdheut.
Vengu vuri në dukje se shërbimi në mision sjell sfida dhe sakrifica si për efektivët, ashtu edhe për familjet e tyre, dhe u shpreh mirënjohës për këtë kontribut.
Ai garantoi se Ministria e Mbrojtjes mbetet e angazhuar për të forcuar kapacitetet e Forcave të Armatosura, duke përfshirë modernizimin e pajisjeve, logjistikës dhe sistemeve mbështetëse.
“Jam krenar për djemtë dhe vajzat tona në Sarajevë që e veshin uniformën me nder dhe e lartësojnë flamurin shqiptar,” u shpreh ministri Vengu.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, mori pjesë dje në Ministerialin e SHBA – Karta e Adriatikut (A-5) në Sarajevë, një forum që bashkon Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pesë vende të Ballkanit Perëndimor.
/gj.m/j.p/r.e/