E Enjte, 5 Nëntor 2026

Vengu në Vlorë: 250 forca civile e ushtarake në të gjitha zonat e prekura

TIRANË, 5 tetor /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, mori pjesë sot në mbledhjen e Komisionit të Emergjencave Civile në Vlorë, për t’u njohur nga afër me situatën e krijuar në këtë qytet si pasojë e kushteve të rënduara atmosferike që preken zonën gjatë ditës së kaluar.

Në një prononcim për mediet Vengu tha se, 250 forca civile dhe ushtarake janë në terren në të gjitha zonat e prekura.

“Sapo kemi realizuar një mbledhje të dytë të Komitetit të Emergjencave Civile Vlorë me Prefektin dhe Kryetarin e Bashkisë dhe të gjithë strukturat civile, ushtarake apo të emergjencave civile që janë angazhuar në terren që prej pasdites së djeshme”, tha Vengu.

“Kemi 250 forca civile dhe ushtarake në terren në të gjitha zonat e prekura.  Sigurisht është ai trekëndëshi i rrugës, si ajo e “Albano dhe Romina”, Kishës Ortodokse dhe Lagjes Historike, edhe mbeten një pjesë e pallateve dhe garazheve të prekura dhe nën ujë. 62 janë evidentuar si të tilla. Forcat janë të angazhuara në mënyrë që të çlirohen ujërat dhe të mundet të vihen në funksionalitet të plotë, qoftë stacionet e pompimit që kanë pasur vështirësi mbrëmjen e kaluar nga gjithë ai vërshim i madh i ujërave të të gjithë zonës, sikundër edhe hidrovori të vijojë punën në kushte optimale”, theksoi Vengu.

“Jemi në një situatë që po bëjmë të mundur evidentimin e dëmeve në mënyrë që t’i qëndrojmë pranë bizneseve dhe qytetarëve”, shtoi ai.

Vëngu nënvizoi se lagja historike është prekur dhe ka disa problematika, por shtoi ai janë ngritur 5 grupe pune të bashkisë.

Ministri u shpreh se do bëhet e mundur që të evidentohen dëmet dhe të japin dhe resurset e nevojshme financiare.

“Tani është momenti të qëndrojmë pranë qytetarëve, të evidentojmë dëmet dhe të shfrytëzojmë të gjithë ato instrumente financiare dhe rregullatorë që i japin mundësinë qoftë bashkisë, qoftë Agjencisë Kombëtare të Emergjencave Civile që të dëmshpërblejë banorët për të gjitha këto dëme që janë konstatuar dhe të bëjmë të mundur që në një periudhë shumë të shkurtër të japim dhe resurset e nevojshme financiare”, tha Vengu.

I pyetur për shkaqet e kësaj përmbytjeje, Vengu tha se, “e para, ka shkaqe objektive. Kemi një situatë ku në shumë pak orë, kanë vërshuar 20 cm ujë në një zonë gjeografike të limituar dhe këto janë shkaqet e para objektive”.

Sigurisht shtoi ai, “ka edhe shkaqe teknike që lidhen me situatën e të gjithë rrjetit infrastrukturor dhe të evakuimit të ujërave të zeza dhe të bardha në nivel bashkie dhe qarku dhe këto janë shumë evidente nga të gjithë ekipet në terren që po shohin sot sesi që nga kolektorët e deri tek hidrovoret dhe stacionet e pompimit situata nuk ka qenë optimale”.

“Na duhet patjetër që të reagojmë dhe ta përmirësojmë atë përmes investimeve në javët dhe muajt në vijim”, tha Vengu.

Ministri theksoi se tani është momenti i përgjigjes së emergjencës.

“Është momenti që të sigurojmë që banorët të mund të rikthehen në ato banesa, pasi janë detyruar disa dhjetëra prej tyre të largohen. Është momenti që në garazhdet e disa pallateve të zbrazen ujërat dhe të rikthehet energjia elektrike dhe të rikthehet jeta normale, në lagjet e qytetit dhe është momenti që të bëjmë dhe evidencat e duhura në mënyrë që t’u përgjigjemi banorëve”, tha Vengu.

Ministri u shpreh se, ndërhyrja ka qene e shpejt dhe e duhur.

“Ekipet kane qenë në terren që në momentin e parë. Kanë qenë 3 orë shumë kritike, nga ora 3 deri në orën e 5 e gjysmë 6 të pasdites së djeshme, ku vërshimi ka qenë maksimal dhe i vështirë për t’u menaxhuar dhe aksesi ka qenë i vështirë, por që në atë moment kanë qenë në dispozicion edhe mjetet e kalueshmërisë së lartë të Forcave të Armatosura, edhe fadromat e vendosura në dispozicion qoftë nga strukturat publike dhe private”, tha Vengu.

Ministri theksoi se, bypass është i hapur prej një ore.

“Një lajm i mirë është që bypass ka kalueshmëri të plotë 100% që prej një ore tashmë”, tha ndër të tjera ministri, teksa theksoi se pasdite në orën 17:30 do të ketë një përditësim të situatës.

/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›