Veprimet e dhunshme në protestën e demokratëve, 4 të arrestuar dhe disa të proceduar

Policia njoftoi të mërkurën se ka arrestuar 4 shtetas dhe 6 të tjerë po procedohen penalisht për veprimet e dhunshme gjatë protestës së djeshme (20 shkurt) të opozitës para kryeministrisë.
Ndonëse tubimi i demokratëve të ish-kryeministrit Sali Berisha u përmbajt te deklaratat verbale dhe u zhvillua paqësisht, punonjësit e policisë u përballën edhe me sulme me lëndë piroteknike, si kapsolla, flakadanë dhe molotov.
Komisariati Nr. 1, nën drejtimin e Prokurorisë, informoi se ndër të arrestuarit në flagrancë dhe të proceduarit janë shtetas të moshave 18 deri 37 vjeç, por vijon puna “për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në akte të kundërligjshme gjatë protestës së ditës së djeshme”.
“Grupi hetimor këqyrjes së vendit të ngjarjes u sekuestruan në cilësinë e provës materiale:- 21 flakadanë të plasur;
- 1 bidon plastik 0.5 L, e mbushur me lëndë djegëse të dyshuar benzinë, me kapsollë të paplasur;
- 37 bidona plastikë uji, 0.5 L;
- 6 bidona plastikë të djegur, me aromë lënde djegëse benzinë;
- 3 kapsolla.
Gjithashtu, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 110 kapsolla, që iu gjetën këtyre shtetasve, gjatë kontrolleve fizike,” njoftoi Policia.
Veç veprimeve të protestuesve, të martën pas protestës u monitorua edhe reagimi i organeve ligjzbatuese. Avokati i Popullit deklaroi se ka marrë denoncime për ushtrim dhune nga efektivë të veshur si civilë, ankesë e cila “do të trajtohet në vijim”.
/rtsh.al/