Veqilharxhi, babai i alfabetit dhe abetares shqiptare

Busti i Naum Veqilharxhit ne Bukuresht
ABETARJA E ABETAREVE
Ëvetaret(ëve-shkronjë) e Naum Veqilharxhit njihen si të parat abetare të gjuhës shqipe. Me to merr udhë historia e abetareve në gjuhën tonë amtare. Përpara tij ishte dr. Vangjel Meksi, që shqipëroi dhe përshtati në trajtë tekstesh për nxënësit shqiptarë librat e shkrimtarit francez Flëri (Fleury,1640-1723): Doke të të krishterëve dhe Doke të izraelitëve, për tu përdorur në shkollat fillore. Veçse, abetaret e Veqilharxhit, jo vetëm janë të parat në vargun e abetareve të gjuhës shqipe, por ato zgjuan vetëdijen e shqiptarëve si komb më vete dhe dëshirën për të jetuar në liri. Ëvetari i Naumit është abetarja e njësisë kombëtare, abetarja që na mëson se gjithë ai popull që flet gjuhën shqipe, është popull shqiptar, një dhe i pandarë, se ai vend ku jeton ky popull është vendlermi (atdheu) i shqiptarëve, Shqipëria një dhe e pandarë (Emil Lafe, Abetarja e abetareve, Revista letrare, 1999, nr. 10, f. 31). Ato ishin lajmëtaret e para të arsimit kombëtar shqiptar dhe nxitën qytetarët e Korçës që të hapin një fushatë ndihmash për të ngritur një tipografi edhe shkolla, në mënyrë që mësimi të shtrihet në gjithë atdheun tonë dhe në gjithë kombin tonë (Letra e korçarëve dërguar N. Veqilharxhit, 1845).
Këtë ngjarje të rëndësishëm të kulturës dhe arsimit shqiptar e përshëndeti miku i madh i shqiptarëve, albanologu J. G. fon Hahn dhe Jeronim De Rada, të cilit Veqilharxhi i dërgoi disa kopje të ëvetarit. Arbëreshi tjetër i njohur Vinçenc Dorsa, u bëri jehonë alfabetit dhe librave të Naum Veqilharxhit një vit pas botimit të tyre, në vitin 1847 (M. Domi, Mbi jehonën e botimit të Abetarit shqip dhe të veprimtarisë së Naum Veqilharxhit në shtypin rumun të kohës (Me rastin e 130-vjetorit të botimit të Abetarit), Studime filologjike, 1976, nr. 4, f. 120).
Përkrahje të jashtëzakonshme Naum Veqilharxhi pati nga personalitetet më të shquara të kulturës rumune dhe bullgare, të cilët shkruan artikuj të shumtë, me ngrohtësi për popullin shqiptar dhe për veprën e Naum Veqilharxhit, duke theksuar se: Përpjekjet e Naumit mund të konsiderohen si një simbol kombësie rreth të cilit mund të mblidhen të gjitha pjesët e shpërndara prej aq shekujsh (Radulesku, Mbi shqiptarët, Bukuresht, 1846, cituar nga M. Domi, Mbi jehonën e botimit…., f. 123). Qarqet shkencore gjermane treguan menjëherë interes për abetaret që Naum Veqilharxhi botoi në vitet 1844 dhe 1845 (Dh. S. Shuteriqi, Naum Veqilharxhi, Gjurmime Letrare, 1974, f. 229). Në veprën Historia e popullit shqiptar, II, f. 99 është shkruar: Me alfabetin e ri që sajoi qysh në vitet 20, ai kishte hartuar disa tekste, të cilat, siç duket, për vështirësi teknike e mungesë mjetesh mbetën për dy dhjetëvjeçarë të pabotuara. Në të vërtetë, Naum Veqilharxhi, pasi përfundoi dorëshkrimin e materialeve të plota didaktike për shkollat fillore në gjuhën tonë amtare, duhej të kapërcente dy pengesa të vështira. Së pari, duhej të siguronte burimet financiare për derdhjen e shkronjave të tij origjinale, si dhe një shtypshkronjë me teknologjinë e duhur. Së dyti, dhe më e vështira, projekti i tij nuk do të realizohej pa fermanin e Sulltanit, që do të mundësonte futjen e librave shqip dhe, për më tepër, hapjen e shkollave në Shqipëri, të cilat pengoheshin prej shekujsh nga një marrëveshje ndërmjet Portës së Lartë dhe Patrikanës. Në veprën Historia e popullit shqiptar pranohen vështirësitë që hasi Naum Veqilharxhi për të zbatuar projektin e tij, por anashkalohen faktorët që bënë të mundur arritjen e abetareve në Shqipëri dhe hapjen e shkollave shqipe në vitin 1844 në Korçë, Kolonjë, Përmet, Berat e rrethinat. Ato shkolla duhen njohur, përkujtuar dhe nderuar si shkollat e para në Shqipëri ku mësohej shqipja me kompletin e plotë të materialeve pedagogjike. Historiografia shqiptare vazhdon të mos e nxjerrë në dritën e diellit faktin se mrekullia e hapjes së shkollave në gjuhën shqipe, ku nxënësit shqiptarë mësuan gjuhën e vet amtare dhe e shkruan atë me alfabetin e veçantë të Naum Veqilharxhit, u realizua edhe falë patriotizmit, gatishmërisë dhe mjeteve financiare të bamirësit shqiptar Vangjel Zhapa.
VANGJEL ZHAPA, BASHKËPUNËTORI I VLEFSHËM I NAUMIT
Nuk dihet data e saktë e njohjes së Naum Veqilharxhit me Vangjel Zhapën, veçse me siguri ka qenë fillimi i viteve 40 të shek. XIX. Në librin Fjala shqipe, Tiranë, 1961, Skënder Petro Luarasi (1900-1982), publicist, vazhdues i traditës së Fan Nolit për përkthimin e veprave klasike të letërsisë botërore, veprimtar i arsimit dhe i shkollës shqipe, ka shkruar: Vangjel Zhapa, bashkëpunëtori i Naum Veqilharxhit, e la pasurinë për edukimin e popullit të tij shqiptar, por që Patrikana diti tia zhvatë për interesat e saj satanike. Kurse vetë Vangjel Zhapa ka shkruar në gazetën Pellazgu se jo para shumë kohësh diskutuam me javë të tëra me Naum Veqilharxhin në lidhje me çështjen e alfabetit të shqipes (Aleks Buda, Të dhëna mbi lëvizjen kombëtare shqiptare në vitet 1859-1861, Studime historike, 1965, nr. 2, f. 63). Naum Veqilharxhi me Vangjel Zhapën duhet të jenë njohur dhe të kenë diskutuar mbi alfabetin e veçantë të gjuhës shqipe para se të botoheshin abetaret, domethënë para vitit 1844. Në këtë periudhë, Vangjel Zhapa ka qenë një ndër pasanikët më të mëdhenj të Rumanisë për tu bërë pas 10-15 vjetësh, pasaniku më i madh në Europën lindore. Në fillim të viteve 40 të shekullit XIX, Naum Veqilharxhi kishte përfunduar prej kohësh përpilimin e alfabetit dhe hartimin e abetareve, të gramatikës së gjuhës shqipe dhe të materialeve të tjera didaktike. Por, ai nuk kishte pasur mundësi ti botonte ato dhe më pas ti dërgonte në Shqipëri. Takimi me Vangjel Zhapën ishte për të takimi me njeriun e duhur për zbatimin e projektit të tij. Naum Veqilharxhi dhe Vangjel Zhapa, krenarë për rrënjët e tyre shqiptare, pjesëmarrës në kryengritjet antiturke të vitit 1821 dhe thellësisht të zhgënjyer nga Filiqi Eteria dhe udhëheqësit e saj, nuk u takuan rastësisht në emigracion. Rasti ndihmon vetëm mendjet e përgatitura dhe shpirtrat e ndezur për një qëllim të madh. Ata kërkuan dhe gjetën njëri-tjetrin. Bashkëpunimi i tyre do të ishte sintezë e qëllimeve dhe e idealeve të përbashkëta. Detyrat e Vangjel Zhapës tashmë ishin të përcaktuara. Ato qartësohen plotësisht nga dokumentet e paraqitura më poshtë, të cilat as që përmenden në veprën Historia e popullit shqiptar, të botuar nga Akademia e Shkencave. Nikolla Naço (1843-1913), atdhetar dhe veprimtar i dalluar i Rilindjes Shqiptare, ka dëshmuar se: Vangjel Zhapa me dr. Arsaqin darovitën respektivisht 25.000 dhe 10.000 flori për gjuhën shqipe dhe punuan së bashku me N. Veqilharxhin për të shkruar gjuhën shqipe dhe për të shtypur shumë kartëra, të cilin fole e shejtanit, Patrikana, e ndoqi dhe e vrau me të pa besë (Nikolla Naço, Gaz. Shqiptari, Bukuresht, 23.10.1888, cituar nga Dh. Shuteriqi, Gjurmime letrare, f. 246). Librat e N. Veqilharxhit, që panë dritë nëpërmjet dhurimeve të Zhapës, janë Ëvetari (1844) dhe Fare i ri ëvetar shqip (1845), d.m.th. dy abetaret e para të gjuhës shqipe. Me këta libra dhe me idetë e shprehura në ta nga N. Veqilharxhi, hapet programi kulturor-gjuhësor i Rilindjes Kombëtare dhe hidhen hapat e parë të arsimit shqip. Shkrimtari dhe gazetari i njohur rumun Grigore H. Grandea në parathënien që ka shkruar për librin e Andre-lu alm Bagavm Carte de alegere perisã în dialectulm macedo-românm, Bukuresht, 1887, f. X-XI) jep këtë informacion me rëndësi: Janë bërë kërkime mbi kulturën kombëtare ndër shqiptarë, por ato u shtypën nga pushteti i Patrikanës greke, e cila, përmes agjentëve të vet, përndiqte gjithçka që binte ndesh me int