Verdikti kundër Trampit rrit donacionet për republikanët, mblodhën 141 mln dollarë në maj

Në muajin maj, republikanët mblodhën 141 milionë dollarë donacione nga mbështetësit, gati dyfishi i bilancit të një muaji më parë. Donatorët dhanë mesatarisht 70,27 dollarë secili.
53 milionë dollarë u mblodhën vetëm në 24 orët kur juria e gjykatës së Nju-Jorkut shpalli ish-presidentin Tramp fajtor për falsifikimin e bilanceve të biznesit të tij për të paguar një aktore para fushatës së vitit 2016, që të mos tregonte lidhjen e tyre intime të dikurshme. Tramp e ka mohuar akuzën.
Në një deklaratë për shtyp, Komiteti i Partisë Republikane tha se rritja e donacioneve tregon se publiku amerikan e ka kuptuar “gjyqin maskaradë të Bajdenit”.
Në muajt e fundit, ekipi i presidentit Xho Bajden ka mbledhur më shumë fonde nga simpatizuesit e demokratëve, por në prill Trampi e kaloi për herë të parë me 76 milionë dollarë.
“Do e shohim se çdo na thonë shifrat e korrikut, por një gjë është e sigurt: miqtë miliarderë të Trampit po e shtyjnë fushatën e tij prej një mashtruesi me kollare,” tha zëdhënësi i fushatës së presidentit Bajden, Amar Musa (o. Ammar Moussa).
Zgjedhjet presidenciale në SHBA mbahen më 5 nëntor. Sondazhet tregojnë se presidenti aktual Bajden ka një avantazh prej 2 pikë përqindje ndaj rivalit Tramp, rezultat që është brenda marzhit të gabimit. /Reuters
/rtsh.al/