Veriu puth Jugun si i çmendur
Nga Bledi Mane- Public Enemy
1./
Fonetikisht tingëllojnë porsi emrat e dy meshkujve që ndukin njëri-tjetrin. Gjuhësisht nuk po ua cilësojmë gjininë, por politikisht le ti trazojmë pakëz në mënyrë perverse. Duke pasur perverse edhe vetë politikbërjen e këtushme, nuk kemi çfarë humbasim. Fundja përçarja mes dy poleve gjeografikë vertikalë të Shqipërisë po hyn në dekadën e tretë dhe nuk përbën më risi ndasia artificiale të cilën, shumë burra kurva nga tanët e aplikuan me sukses deri tani.
Berisha president pshurri mbi bashkimin e sforcuar, por të betonuar të ndasisë dhe fati e ndihmoi. Shurra e tij e uthullt dhe gërryese dha rezultate. Cubat e Gazidedes dhe armata e paramilitarëve të pranverës së 1997-ës shkrepën pushkën e urrejtjes duke detyruar Zanin e Çoles të justifikonte ngritjen e njësiteve guerrile në mbrojtje të Jugut.
Pra Jugu dhe Veriu iu larguan njëri-tjetrit. Urrejtja e tepruar pllakosi kudo dhe fatmirësisht ajo Tiranë e drobitur u bë katalizatori dhe zbutësja e mllefit plot mllef dhe pa arsye. Të dy qoshkat ekstreme të vendit kundronin për së largu njëri-tjetrin dhe fytyrat e ngrysura të tyre vetëm erotizëm shpërndanin. Veriu i gjatë e me mustaqe spërdredhur, sytë bojëqielli si deti i Jugut, veshjen me tirq e pantallonat e ngushta prej shajaku joshte këtej poshtë Jugun ezmer me buzë të trasha e vetulla të shkruara si bjeshkët.
Fustanella veshur nuk e zhburrëronte, por detyronte Veriun të ëndërronte e të kujtonte ditët kur ishin vëllezër shokë të mirë. Ndryshe nga skocezët keltë, Jugu e vesh fustanellën me brekë poshtë shalëve dhe kjo e bën më misterioz. Gjëma e 1997-ës zgjati më shumë se 5 vitet e sundimit berishian dhe mes tyre u vu re një ftohje e frikshme. Dinakëria e Jugut kishte triumfuar mbi naivitetin e Veriut dhe ky i fundit po rafinonte urrejtjen. Në mendjet e tyre shfaqej fisniku Abdyl Frashëri tek u bërtiste me finesë burrave të rëndë në Prizren e u kërkonte llogari për ndasitë. Edhe Ismail Qemali u fanepsej ashtu i bukur dhe i qetë tek priste shpatullgjerin Isa Boletini në Vlorën e pavarur duke gëzuar të dy për ditën e madhe.
Humori u binte të dyve tek mburreshin herë njëri me Ahmet Zogun dhe bëmat e tij e herë tjetri me Enver Hoxhën dhe regjimin e stërgjatur. Më pas mbyllnin gojën kur Shqipëria e Mesme u kujtonte dasmën e gjirokastritit Enver me dibranen Nexhmije, por sërish debatonin për Ramiz Alinë që ndryshe nga Zogu, u tregua një verior i butë, i butë dhe frikacak dinak…
Jugu çirrej herë pas here me vrasjen e Azemit si luftë tribale brenda llojit ndërsa Veriu gjente sebep me relievin gjeografik të Skraparit të Ilir Metës e po vetë Veriu e mbyllte gojën kur Jugu zinte në gojë dibranen tjetër Monika Kryemadhi. Kryebashkiakun Edi Rama vetë Veriu e priti me këmbët e para por kur piktori tregonte për origjinën shkodrane të të atit të dyja palët e shfaqnin një lloj mburrjeje. Fatos Nanos ia bëri benë Veriu madje edhe kur u martua me Xhoanën, Veriu filloi ta shante Jugun si kurorëshkelur duke harruar kështu edhe perversitetet e tij te kulla e ngujimit.
Shqipëria e Mesme hiqte mbi kurrizin e saj gjithë këto luftëra të egra dhe toleranca madje edhe mikpritja e saj u mor për dobësi. Nuk i lanë tokë, vreshta, kodra, fusha pa ia bathorizuar veriorët ndërsa jugorët si më pidhas’ëme e benotizuan në emër të ngjyrave dhe të çkioskëzimit.
2005 nxori nga sanatoriumi Veriun e armatosur dhe ky i babëzitur e plot urrejtje shkërdheu rregullat e luftës. Fushëbeteja u përhap nga Saranda në Velipojë duke gërdecosur çdo qoshkë pylli, bregdeti dhe zone urbane.
Jugu nuk u tremb, por pasi i bëri analizën vetes mendoi: E meritoj këtë ndëshkim. 8 vjet as nuk e përkëdhela dhe as nuk e preka tim vëlla!
Ndërkohë në vend të Shote Galicës, Veriu nxori në mejdan një luftëtare të bukur, por egërsisht të frustruar. Jozefina Topalli mprehu shpatën dhe nuk la kokë jugori pa bërë synet. U fut mes lidhjes së përjetshme të të dyve dhe kujtoi se i përçau duke shpartalluar dhe përçarë vetëm veten dhe partinë e saj.
Situata vazhdoi të dalë jashtë kontrollit derisa veriori Berishë serviri një specie të veçantë me origjinë kosovaro-tironce. I tërbuar nga adhurimi i së bijës për të, vetë Sali promovoi në mënyrë extraordinary një qull pa forma. Me emrin Lul Basha dhe tepër plastelinë për origjinën e tij prej dardani, Berisha kërkoi të na servirte modelin e një veriori të gjatë por edhe finok. Pa mullzë, pa kurajo e me brekët e mëkateve nëpër këmbë Basha u mbeti si kopil në derë edhe malësorëve, edhe demokratëve.
Veriu u mburr si fillim me Bashën, por i turpëruar nga transeksualiteit politik i tij mashkullor, thjesht kërkon ti zhvatë postit të Bashës maksimumin deri më 2015 kur i mbaron mandata si kryebashkiak. Dhe Jugu si grricës acarues vazhdon ti kërkojë me ngulm Veriut:
-Zhvishe pra. Zhvisheni si Edi Ramën pa brekë e t’ia shikojmë allatet e burrërisë. Ne ia bëmë fora më 2007-ën kur pa brekë e plot rendiment poshtë brekëve ia fituam Olldashit zgjedhjet!
Veriu skuqet por u paguan disa para podestarëve të Uashingtonit dhe nxjerr zë:
-Allatet e Ramës janë edhe allatet tona. E kemi pi Shkodre atë dreq piktor. E patë si e priti Kamza, Kukësi dhe Peshkopia?
Jugu ndërkohë vihet në sedër dhe si më tolerant i afrohet Veriut. I vendos dorën pas koke, ia tërheq pas vetes dhe i pëshpërit te veshi.
-Më kishe munguar!
Veriut i ngjethet mishi nga prekja e buzëve mbi lëkurë. Ngre kokën, e shikon në sy dhe zgjat fytyrën përballë fytyrës së të vëllait. Janë një gjatësi, janë të bukur. Mbyllin sytë dhe puthen. Nuk është incest, është puthja e një ndarjeje të gjatë që i dëmtoi të dy… Më dëmtoi edhe mua që po shkruaj, të dëmtoi edhe ty që po lexon!
*facebook.com/bledi.mane
twitter.com/blediMANE
