Verstapen më i shpejti, por… i pari niset Lëklerk

Të premten pasdite janë zhvilluar provat zyrtare të garës së Çmimit të Madh të Belgjikës, që është edhe gara e 13-të e Botërorit të këtij sezonit dhe e fundit para atyre të quhen si pushimet verore në Formula 1. Pista interesante e Spa-Frankorshampsit ka qenë arena e këtyre provave zyrtare, aty ku, siç ndodh zakonisht, moti ka patur kapriçot e veta, teksa seanca e parë ka nisur me 10 minuta vonesë për shkak të motit të lagësht. Dhe në mbyllje të kësaj seance të parë, kanë mbetur jashtë Aleksandër Albon, Zhu Guanju, Logan Sarxhët, Daniele Riçardo dhe Niko Hulkenberg.
Ndërkaq, ka qenë edhe më e luftuar seanca e dytë e këtyre provave, aty ku ka rrezikuar edhe vetë Maks Verstapeni, por, sidoqoftë 5 pilotët e eliminuar janë Juki Tsunoda, Pjer Gasli, Kevin Magnusen, Valteri Botas dhe Stebastian Okon.
Akoma edhe më dramatike ka qenë seanca e 3-të e provave zyrtare, aty ku vetëm në fund Maks Verstapeni që regjistroi kohën më të shpejtë, 1 minutë, 46 sekonda dhe 168 të mijëtat. Kjo ishte hera e 28-të në karrierë që ai siguron nisjen nga vendi i parë, por, në garën e së dielës, duhet të kënaqet me nisjen nga vendi i 6-të, për shkak të ndëshkimit si rrjedhojë e ndërrimit të kutisë së marsheve.
Kështu, të dielën në rreshtin e parë nisen Sharl Lëklerk i “Ferrari”-t dhe Serxhio Perezi i “Red Bull”-it, të ndjekur nga Ljuis Hemiltoni i “Mercedes”-it dhe Karlos Sainzi i “Ferrari”-t, Oskar Piastri i “McLaren”-it, Maks Verstapeni i “Red Bull”-it dhe Lando Norris i “McLaren”-it dhe Xhorxh Rasëlli i “Mercedes”-it, si dhe Fernando Alonso dhe Lens Stroll me “Aston Martin”.
Kujtojmë se të shtunën do të zhvillohet, duke nisur nga ora 16:30, edhe gara “Sprint”, ndërsa të dielën gara e madhe zhvillohet duke nisur nga ora 15:00.