E Diel, 1 Nëntor 2026

Vespa Parade Tirana 2026, qindra motoçikleta ikonike në sheshin “Skënderbej”

TIRANË, 9 tetor /ATSH/ Qindra të apasionuar pas “Vespa”-s nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Kroacia dhe Italia do të mblidhen nesër në Tiranë, në edicionin e 13-të të “Vespa Parade Tirana 2026”, një aktivitet që ndërthur kulturën, trashëgiminë, miqësinë mes popujve dhe ndërgjegjësimin shoqëror.

Aktiviteti do të zhvillohet në sheshin “Skënderbej”, ku është parashikuar edhe një instalacion simbolik prej 600 metrash katrorë, që synon të përcjellë mesazhe bashkimi dhe miqësie mes Shqipërisë dhe Italisë.

Ky edicion përkon me 80-vjetorin e “Vespa”-s dhe 80-vjetorin e Republikës Italiane, duke i dhënë aktivitetit një dimension të veçantë kulturor dhe ndërkombëtar.

Në fokus do të jetë edhe fushata e “Tetorit Rozë”, në mbështetje të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit. Pjesëmarrësit do të pajisin “Vespa”-t me fjongo rozë, si simbol solidariteti dhe si mesazh për rëndësinë e kujdesit ndaj shëndetit të grave dhe diagnostikimit të hershëm.

Programi nis në orën 11:00 me mbërritjen dhe regjistrimin e pjesëmarrësve, ndërsa nga ora 16:00 deri në 18:00 do të zhvillohet parada në rrugët e kryeqytetit. Pas kthimit, aktiviteti do të vijojë në sheshin “Skënderbej” me ceremoni, muzikë dhe performanca live nga Xhesika Polo dhe Mateus Frroku.

Me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës, “Vespa Parade Tirana 2026” synon të sjellë një ditë festive për qytetarët dhe vizitorët, duke promovuar kulturën, shkëmbimin mes vendeve dhe mesazhe me rëndësi shoqërore.

/e.xh/a.f/r.e/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›