E Diel, 1 Nëntor 2026

Vetedorezohet punonjesi i IMT Tirane Klajdi Zhilla

Klajdi Zhilla, punonjës i IMT të Tiranës, i cili ishte shpallur në kërkim për marrëveshjen e ryshfetit prej 1 mijë eurosh, ka vendosur të dorëzohet në polici. Ai u paraqit mbrëmjen e së premtes, i shoqëruar nga avokati i tij mbrojtës, në drejtorine e policise se Tiranes . Zhilla u kërkua për një rast ryshfeti që lidhej me mosprishjen e një tende të një lokali në Kombinat, Tiranë.

Në momentin e ndërhyrjes së policisë, Zhilla arriti të largohej, por më pas u shpall në kërkim, si personi që mori paratë nga pronari i subjektit. Gjatë dëshmisë së tij, Zhilla ka pretenduar se nuk kishte dijeni se ishte shpallur në kërkim dhe se e kishte mësuar këtë informacion vetëm nga mediat.

Ndërkohë, autoritetet janë angazhuar në hetime për një tjetër inspektor të IMT-së, Geraldo Fuçia, i cili dyshohet të jetë kërkuesi i ryshfetit. Gjatë seancës dëgjimore në GJKKO, Fuçia ka mohuar akuzat, duke pretenduar se Klajdi Zhilla ishte ai që e mori ryshfetin dhe se ai vetë nuk kishte marrë pjesë në marrjen e parave. Megjithatë, GJKKO ka vendosur të mbajë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për Fuçian.

Rasti ka ardhur pas kallëzimit të bërë nga vetë pronari i lokalit, i cili ka akuzuar inspektorët e IMT-së se i kishin ofruar një marrëveshje për të mos i prishur tendën në këmbim të 1 mijë eurove. Policia ka nisur hetimet, me miratimin e SPAK-ut, dhe ka realizuar përgjime telefonike, për të simuluar dorëzimin e parave.

Në momentin që 1 mijë eurot iu dorëzuan Klajdi Zhilla, tre kolegët e tij ishin të pranishëm në një lokal tjetër në afërsi. Policia ndërhyri menjëherë, por Zhilla, i cili kishte marrë paratë, mundi të largohej me një automjet tip “Audi”. Ndërsa tre kolegët e tij, Geraldo Fuçia, një tjetër inspektor dhe menaxheri i lokalit, u ndaluan nga policia.

Në momentin e kontrollit të bërë në lokal, punonjësit e IMT-së përpiqen të fshehin paratë, duke i vendosur ato në një gotë në banakun e lokalit. Policia ka sekuestruar këto para, të cilat përputheshin me numrat serialë të kartëmonedhave që i ishin dhënë kallëzuesit. Përveç 1 mijë eurove, në lokalin ku u zhvillua operacioni u gjetën gjithashtu 3 mijë euro dhe 27 mijë lekë, që dyshohet se mund të jenë marrë nga subjekte të tjera për të shmangur veprimet e inspektorëve të IMT-së ndaj ndërtimeve të paligjshme.

Ndërkohë, dy të tjerët, një inspektor i IMT-së dhe menaxheri i lokalit që dyshohet se ka ndihmuar në fshehjen e parave, po hetohen në gjendje të lirë, ndërsa Zhilla dhe Fuçia vazhdojnë të përballen me akuza serioze që mund të çojnë në ndjekje penale për abuzim me detyrën dhe korrupsion.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›