Vetëm 6 vende të NATO-s mbështesin publikisht sulmet e SHBA ndaj Iranit, mes tyre edhe Shqipëria

Vetëm gjashtë vendet anëtare të NATO-s kanë dalë publikisht në mbështetje të sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit, sipas raportimit të Forbes. Nga 32 vende të aleancës, deri më tani vetëm Republika Çeke, Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Lituania dhe Letonia kanë dhënë deklarata zyrtare pro operacionit ushtarak.
Kryeministri Edi Rama, në një postim më 28 shkurt, ditën e parë të sulmeve, u shpreh: “Ne mbështesim Shtetet e Bashkuara në mbështetjen ushtarake që i japin sot Izraelit sot nën udhëheqjen e Presidentit Donald Trump”.
Ai gjithashtu dënoi “agresionet kibernetike” të Iranit ndaj Shqipërisë, të cilat çuan në ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve në vitin 2022, pas një sulmi të madh ndaj sistemeve qeveritare shqiptare.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duke shpërndarë fjalimin e Trump për sulmet e 28 shkurtit, shkroi: “Ora e lirisë ka ardhur për popullin e Iranit, falë udhëheqjes së Shteteve të Bashkuara dhe Presidentit Trump.”
Ndërkohë, vende si Danimarka, Finlanda dhe Luksemburgu kanë ruajtur neutralitetin, duke kritikuar gjerësisht regjimin iranian, por pa u pozicionuar për sulmet. Italia dhe Spanja kanë dalë hapur si kundërshtare të operacionit.
/rtsh.al/