Veteranët e UÇK-së kërkojnë protestë: Lufta jonë nuk njolloset

Një ditë pas vendimit të Hagës ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, organizatat e dala nga lufta kanë thirrur një protestë gjithëpopullore, që do të mbahet të premten në orën 12:00 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Përveç protestës, veteranët paralajmëruan edhe një platformë të përbashkët veprimi deri në përfundimin e procesit të apelit. Sipas Sylës, synimi është krijimi i një këshilli koordinues kombëtar, ku të përfshihen institucionet e Kosovës, partitë politike, shoqëria civile, Shqipëria, shqiptarët në Luginën e Preshevës, Mal të Zi dhe diaspora.
“Do t’i përgjigjemi kësaj padrejtësie me një iniciativë për krijimin e një këshilli koordinues kombëtar dhe një platforme ku do të përfshihen edhe Shqipëria, shqiptarët në viset e tjera dhe mërgata jonë.Protesta që organizohet nesër është protestë paqësore, jo e dhunshme, pa maska. Fytyrat i kemi të ndershme, s’kemi nevojë të vendosim maska”, u shpreh Syla.
Edhe kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari, e cilësoi vendimin një goditje jo vetëm ndaj ish-krerëve të UÇK-së, por edhe ndaj luftës dhe shtetësisë së Kosovës, ndërsa u bëri thirrje familjeve të dëshmorëve t’i bashkohen reagimit.