Vetëvendosje: Aksion i drejtë në veri
Në një komunikatë për media, Lëvizja Vetëvendosje e ka cilësuar si të arsyeshëm dhe të kuptueshëm vendimin për vendosjen nën kontroll të pikave doganore në veri të Kosovës.
Në komunikatë mes tjerash thuhet se ky vendim e pason vendimin paraprak të javës që shkoi për moslejimin e hyrjes së mallrave prej Serbisë dhe qarkullimin e tyre në Kosovë.
Vendimi për moslejimin e mallrave prej Serbisë në Kosovë, në kuadër të reciprocitetit karshi Serbisë, është praktikisht i pamundur të zbatohet pa i marrë nën kontroll këto dy pika doganore. Prandaj, vendimi i fundit i Qeverisë është i kuptueshëm, i arsyeshëm dhe i drejtë, thuhet në komunikatë.
Po ashtu, ky grup parlamentar opozitar shfaq shpresën se qeveria nuk ka menduar vetëm hapin e parë.
Shpresojmë që qeveria ka nisur me zbatimin e një plani, të një strategjie më të gjerë për ta bërë Kosovën sovrane e me integritet territorial. Hapi i këtillë është pozitiv dhe i drejtë, por hapi mbetet veçse një hap. Hapi nuk e bën ecjen. Ecjen e përbëjnë hapat, shumë hapa të bashkërenduar, thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes.