E Martë, 3 Nëntor 2026

Vetëvrasja e 41-vjeçares, aktivistë të shoqërisë civile protestojnë në Tiranë

Aktivistë në Tiranë kanë protestuar për shkaqet që çuan 41-vjeçaren në aktin e vetëvrasjes.

Ata shprehën indinjatën që shoqëria nuk pati distancim nga fenomeni bullizues në rrjetet sociale për nënën e katër fëmijëve, e cila duke u ndier e pambrojtur mori vendimin ekstrem duke i dhënë fund jetës së saj.

“Ajo kishte frikë nga opinioni i të tjerëve… Ne po shohim vazhdimisht nëpër rrjete sociale, nëpër medie, që ka një bullizëm të paparë,” u shprehën dy qytetarë.

Ndërgjegjësimi shoqëror, sikundër forcimi i legjislacionit për të parandaluar dhe ndëshkuar këdo që abuzon me imazhin dhe jetën personale të kujtdo, duhet të jetë sot një kambanë alarmi, apeluan aktivistët.

“Jam dakord që ligji duhet forcuar, por gjykoj që gjithmonë ky koncepti etatist që krimet ndaj grave duhet t’i zgjidhim vetëm me dënime, penalitete, burgime, të cilat janë të domosdoshme dhe duhet të forcohen, por unë mendoj që duhet të bëjmë një diagnostikim për të gjetur shkakun, virusin. Çfarë ka kjo shoqëri që prodhon këtë feminicid, çfarë ka që i vë gratë në pozita të tilla,” deklaroi sociologu Gëzim Tusha.

Nëna e katër fëmijëve vendosi aktin ekstrem të vetëhelmimit me fostoksinë, ndërkohë që persekutimi i saj në rrjetet sociale kishte nisur rreth një vit më parë.

Gazetare: Anisa Kadesha

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›