Vetëvrasja që ndryshoi botën arabe

Para saktësisht një viti: në një qytet të vogël në Tunizi, një i ri, 26 vjeçar, e lagu trupin e tij me lëng ndezës dhe ia futi vetës flakën.
Po të njëjtën ditë, nëpërmjet Facebookut, Tëitterit dhe televizionit, lajmi u përhap në gjithë vendin, në gjithë botën arabe. 18 ditë më vonë, më 4 janar të këtij viti, Mohammed Bouazizi vdiq si pasojë e plagëve të rënda.
Dhe prapë dhjetë ditë më vonë, më 14 janar, diktatori shumëvjeçar i Tunizisë, Zine al-Abidine Ben Ali, së bashku me bashkëshorten dhe familjen e tij u arratis nga vendi dhe gjeti strehim në Arabinë Saudite.
Dhe ndodhi ajo, që ishte e paparamendueshme: një autokraci arabe u përmbys qysh në përpjekjen e parë dhe atë jo nga puçi ushtarak, por nga populli. Këtu edhe filloi rënie e regjimeve, filloi e ashtuquajtura “Pranverë Arabe”.
Revolucionet janë komplekse, ekziston një reaksion zinxhir dhe rrallë ekzistojnë njerëz apo individë, për të cilët mund të thuhet me të drejtë se e kanë filluar procesin. Pra kush ishte Mohammed Bouaziz.
Bouaziz-kështu së paku thonë rrëfimet e para, të cilat u përhapen shumë shpejtë-ishte një përfaqësues tipik i rinisë tuniziane, e cila nuk është as e majtë, e as e djathtë, e cili nuk është as islamike, e as ateiste.
Një rini e edukuar mirë, e cila di të shfrytëzojë mediet e reja për komunikim. Këta të rinj nuk janë fëmijë të Marksit apo të Coca-Colës, nuk janë politik. Thjeshtë dëshirojnë të jetojnë, të keni pak a shumë një pagë solide. Natyrisht se drejtohen andej, ku mund të realizojnë ëndrrat e tyre: në perëndimin evropian dhe amerikan.
Ky rrëfim deri diku është i saktë, e prapë është edhe i pasaktë. Bouazizi thuhet se është keqtrajtuar nga autoritetet dhe ka vendosur të flijohet, për të vendosur një shembull. Por e vërteta ende nuk është zbuluar në tërësi.
Gazetarët dhe hulumtuesit janë munduar të tubojnë ato pak fakte, të cilat ekzistojnë ende për Bouazizin.
Bouazizi nuk ka studiuar dhe nuk ka kryer as shkollën e mesme. Ndoshta ka dashur, por nuk ka pasur mundësi. Pas vdekjes së hershme të atit të tij, ai ishte i detyruar të kujdesej për familjen, nënën dhe pesë vëllezërit dhe motrat më të ri.
Pra as që i ka shkuar mendja të shkollohej më tutje, e aq më pak në qytetin e vogël me 40 mijë banorë, Sidi Bouzid, rreth 265 kilometra në lindje të Tunizit.
Kur djali i saj ja vuri vetës flakën, nëna e Mohammedit, Manobuia, punonte në një fushë të ullinjve. I biri i saj shet prodhime të ndryshme në qendër të qytetit.
Por gjendja e tij bëhet gjithnjë e më dëshpëruese, ai nuk posedon leje për të shitur dhe në vazhdimësi keqtrajtohet nga autoritetet.
Më 17 dhjetor të vitit 2010, ai qëndron në vendin e tij të zakonshëm. Rreth orës 11:00 vjen policja Faida Hamdi dhe ja konfiskon mallrat Mohammedit.
Nga ky moment, e deri në momentin kur ndodhi vetëflijimi, ekzistojnë shumë dëshmi kundërthënëse për atë se çfarë kishte ndodhur në të vërtetë. Thuhet se Mohammed dhe policja janë grindur dhe se Faida Hamdi e ka goditur atë në fytyrë.
Nëse ka qenë kështu, atëherë në këtë shtet mysliman, në të cilin dominojnë meshkujt, do të kishte qenë një fyerje tejet e rëndë.
Bouazizi nuk reagoi me agresivitet, por i përmbajtur. Ai shkon në polici dhe kërkon që t’i kthehet malli, por me kot. Më pas shkon në selinë e prefektit dhe dëshiron të flet me të për këtë çështje, prapë me kot.
Rreth orës 13:00 ai ia vë vetës zjarrin para shtëpisë së prefektit. Asnjë klithmë, asnjë parullë, asnjë porosi. Këtu në lojë hyjnë mediet e reja për komunikim, të cilat me shpejtësi e përhapin lajmin në botën arabe.
Njëri nga dëshmitarët okularë, i cili e njeh Bouazizin, i telefonon menjëherë kushëririt të tij, Alisë. Ai arrin në vendin e ngjarjes për të parë se si trupi i kushëririt të tij po dërgohej në spital.
Këtu ngjarja e merr rrjedhën e vet mediale. Ishte ky momenti, kur filloi lëvizja që përmbysi tri qeveri në Afrikën e Veriut. Një vetëvrasje enigmatike me plot kuptimin e fjalës shndërrohet në një shkëndijë.
Bouazizi nuk kishte asnjë mundësi për të mbijetuar. Kishte djegie të shkallës së katërt, rreth 90 për qind e lëkurës së tij ishte djegur. Trupi i tij dërgohet në një spital në kryeqytet.
Në Tunizi fillojnë protestat në rrugë. Dhe këtu ndodh një ngjarje e pazakonshme: diktatori Ben Ali, i cili kishte marrë protestat seriozisht, vizitoi Bouazizin në spital. Tirani dhe një fëmijë i vendit të tij që po vdiste.
Bouazizi është varrosur në një varr të thjeshtë në Sidi Bouzid. Habit fakti se në varrimin e tij morën pjesë vetëm 5 mijë persona.
Bouazizi shndërrohet në një hero kombëtar-familja e tij tani është më shumë në qendër të vëmendjes, por nuk ka ndonjë jetë më të mirë. Thuhet se Ben Ali para se të arratisej kishte ftuar nënën e Mohammedit në bisedë, duke i dhuruar 10 mijë euro.
Familja menjëherë akuzohet se ka shfrytëzuar regjimin e vjetër, e njëkohësisht edhe situatën e re.
Në gurin e varrit të Mohammedit është skalitur një mbishkrim i thjeshtë dhe heroik:”Martirit Mohammed Bouazizi, i lindur më 29.3.1945, ka vdekur më 4.1.2011”.
Gati një vit pas vdekjes së tij, një gjë është e sigurt: ky njeri ka nxitur thyerjen më të madhe në botën arabe në dekadat e fundit, një thyerje e cila filloi si një Pranverë dhe e cila mbetet e paqartë se me çfarë do të rezultojë-me një botë më të mirë apo me një pushtim të ri. Kemi mësuar shumë për botën arabe, por nuk e dimë ende se kush ka qenë Mohammed Bouazizi.