Vetëvritet një nga të akuzuarit për mashtrimin me mikrokreditë

TIRANË, 20 korrik/ATSH/- Një prej të akuzuarve nga organet e drejtësisë lidhur me mashtrimin e qytetarëve përmes mikrokredive është vetëvrarë ditën e sotme duke u vetëhedhur nga lartësia e një pallati në ndërtim
Policia bëri me dije se Olsi Ibro, 45 vjeç dyshohet se i ka dhënë fund jetës duke u vetëhedhur nga lartësia e një pallati e për pasojë ka ndërruar jetë në vendngjarje.
“Më datë 20.07.2024, në rrugën “Ramazan Shijaku”, dyshohet se është vetëhedhur nga lartësia e një pallati në ndërtim e sipër, shtetasi O. I., 45 vjeç, i cili si pasojë e dëmtimeve të marra, ka ndërruar jetë në vendngjarje. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policisë.
Një ditë më parë Prokuroria bëri të ditur përmes një deklarate për mediet se ka kërkuar sekuestrimin e shoqërive “Micro Credit Albania” dhe “Final”, të akuzuara se kanë mashtruar disa dhjetëra mijëra qytetarë me dhënien e mikrokredive. Prokuroria kërkon vendosjen e sekuestros preventive mbi kuotat dhe asetet/aktivet, pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, tituj pronësie etj. Të të dy kompanive.
Nga hetimet rezultoi se shoqëritë tregtare MCA dhe Final, në bashkëpunim me Shoqërinë ADCA dhe me disa shoqëri të tjera përmbarimore, kanë krijuar së bashku një skemë mashtruese me qëllim vjedhjen dhe zhvatjen e qytetarëve që aktualisht përllogaritet në miliona Euro.
Sipas Prokurorisë, në mënyrë abuzive, ato kanë përdorur të dhënat personale të siguruara në mënyrë të paligjshme të individëve, pa asnjë mundësi për përballimin e jetesës së përditshme.
Po ashtu, kanë përdorur presionin psikologjik dhe përndjekjen e debitorëve dhe familjarëve të tyre nëpërmjet telefonatave të vazhdueshme dhe jo vetëm, me qëllim nënshkrimin e marrëveshjeve të reja të kredive
Sipas Prokurorisë, këto shoqëri kanë gënjyer qytetarët në përllogaritjen e një detyrimi të fryrë dhe pa asnjë bazë ligjore, si dhe i kanë sekuestruar llogaritë bankare në kundërshtim me ligjin dhe tej minimumit jetik, madje dhe pa ndonjë afat kohor.
Po ashtu i kanë kryer sekuestrimin e pronave të paluajtshme në mënyrë jo proporcionale me detyrimin e mbetur si dhe kanë shitur apo kaluar në pronësi të MCA, pasuritë e paluajtshme të debitorëve apo shtetasve të tjerë në ankande fiktive me vlera shumëfish më të ulëta se sa vlera reale e këtyre pronave, prona të cilat janë vlerësuar në mënyrë fiktive.