E Diel, 1 Nëntor 2026

Vijon bllokada e transportit publik në Prishtinë, kryetari akuzon Ministrinë e Financave

Protesta e  punonjësve të transportit publik të Prishtinës kundër bllokimit të fondeve të komunës këtë të martë mori një tjetër formë. Ndryshe nga një ditë më parë, kur u pezulluan të gjitha linjat e transportit të kryeqytetit të Kosovës dhe punonjësit protestuan para ndërtesës së komunës dhe asaj të qeverisë, autobusët pa pasagjerë bllokuan për pak kohë qarkullimin rrugor.

“Ministria ka alokuar ditën e premte 3.2 milionë, komuna i ka aloku për Trafikun Urban 630 mijë euro, nuk janë pjesë e asaj që mbulojnë shpenzimet e naftës që kemi borxh 1 milion, i kemi 800 mijë euro borxh punëtorëve për dy rroga, 100 mijë euro po na shkëputet kontrata për sigurime shëndetësore se kemi borxh. Komuna nuk po reflekton, na detyron neve kinse ministria nuk i ka alokuar paratë. Ne dje takuam ministrin 1 orë e 40 minuta me kryetar të shoqatave, ata u zotuan se nëse asambleja komunale nxjerr një vendim për bartjen e të hyrave vetanake për vitin 2024, në momentin që nxjerr vendimin dhe ia përcjellë ministrisë, në atë moment ministria është e gatshme me i aloku paret. Ky vendim deri tash nuk ka ndodhur”, tha Gashi.

Por kryetari i komunës së Prishtinës Përparim Rama, të cilit iu refuzua kërkesa që të merrte pjesë në takimin e një dite më parë të krerëve e operatorëve dhe ministrit të financave Hekuran Murati,  hodhi poshtë pretendimet e Muratit se pavarësisht se buxheti i Prishtinës për vitin 2025 nuk u miratua brenda afatit nga kuvendi I komunës, nga thesari janë lëvruar fonde të parashikuara për dhjetorin për të paguar disa fatura.

“Kemi 35 milionë të bllokuara tash e sa muaj tash, të enjten do ta fusim në seancë edhe 28 milionë të tjera, i thërras të gjithë asamblist që të votojmë edhe 28 milion që kryeqyteti të ketë opsione. Nuk është çështje me fonde të kryeqytetit, ka fonde të mjaftueshme për të paguar të gjithë operatorët, pra nuk kemi problem te operatorët, problemi është te Ministria e Financave edhe sot i gatshëm të takohem menjëherë kudo që ata dëshirojnë të takohen dhe ta zhbllokojmë këtë proces, është një çështje që nuk është problem por po bëhet”, tha ai.

Prej dy ditësh, qytetarët e kryeqytetit të Kosovës janë detyruar të gjejnë alternativa të tjera për të shkuar në punë apo shkollë pasi i gjithë sistemi i autobusëve të transportit qytetas ka ndalur punën për shkak të mos marrjes së pagesave nga komuna e Prishtinës.  

Gazetare: Elda Pepa

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›