Virozat, Koçiu: Ka rritje të rasteve, por nuk jemi në epidemi

TIRANË, 24 janar/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu tha sot se “ka një rritje të numrit të infeksioneve respiratorë në vend”, ndërsa bëri apel për vaksinim ndaj gripit.
Në një intervistë televizive, Koçiu tha se “në raport me vitin e kaluar ka rritje të rasteve, por nuk jemi në një situatë alarmante për të thënë që jemi në situatë epidemie”.
“Në mbledhjen e Komitetit Teknik pak ditë më parë u theksua se duhet të vaksinohemi sepse vaksina është mjeti më i mirë mbrojtës në të tilla raste. Ekspertet rekomandojnë që edhe tani vaksina e gripit mund të kryhet fare mirë”, theksoi Koçiu.
Ministrja Koçiu u shpreh se “ne kemi filluar vaksinimin ndaj popullatës më të rriskuar që është më e rrezikuar nga virozat e stinës. Kemi filluar që në tetor me vaksinimin falas janë 280 mijë doza, të cilat janë vënë në dispozicion në qendra shëndetësore për të kryer vaksinën e gripit falas për të gjithë target grupin e rriskuar që janë fëmijët, personat që vuajnë nga sëmundjet kronike, të moshuarit dhe personeli shëndetësor”.
“Kemi një përdorim në masën 76% të vaksinave të kryera dhe ajo thirrja që do t’i bëja kujtdo që na dëgjon t’i drejtohet mjekut të familjes qendrave shëndetësore për të kryer vaksinimin e gripit si një masë paraprake mbrojtëse e mirë ndaj virozëve të stinës”, tha Koçiu.
Ministrja Koçiu bëri të ditur se “kemi lançuar hera-herës që krahas Pediatrisë, Urgjencës Pediatrike në QSUNT në momentet e stinës së dimrit hapim edhe urgjencat pediatrike në qendrat shëndetësore që funksionojnë 24/7 dhe janë më pranë vendbanimit për qytetarët për të vizituar vogëlushët. Janë 56 qendra shëndetësore që operojnë si urgjenca pediatrike të pajisura me medikamentet e nevojshme dhe stafet mjekësore përkatëse për të pritur çdo vogëlush që mund të preket nga një temperaturë apo shqetësim tjetër që vjen si rezultat i virozave të stinës”.
/k.s/a.f/