E Hënë, 2 Nëntor 2026

Virozat e stinës në Elbasan – 200 raste përditë ditë në urgjencë, mjekët apelojnë për vaksinim

Gjatë këtij muaji, Urgjenca e Spitalit Rajonal të Elbasanit është duke u hasur me një fluks të lartë të pacientëve të prekur nga virozat stinore.

Bluzat e bardha pohojnë se kryejnë rreth 200 vizita në ditë, ndërsa pacientët vijnë me simptoma si temperaturë e lartë dhe vështirësi në frymëmarrje. Më të prekur janë kryesisht mosha e tretë, por nuk përjashtohen rastet e të rinjve, sidomos ata që konsumojnë rregullisht duhan.

“Kanë filluar edhe grumbullimet. Shkollat janë një arsye më tepër. Duhet të paraqiten te mjeku i familjes paraprakisht për të marrë këshillimin e duhur dhe më tej të mos e lënë situatën të agravojë,” këshillon mjeku Ergys Mici, drejtues i Urgjencës së Spitalit Rajonal Elbasan.

Problemi më madhor mbetet trajtimi i pacientëve që kanë edhe sëmundje të tjera shoqëruese, duke ndikuar ndjeshëm në rëndimin e gjendjes shëndetësore, deri në hospitalizimin e tyre.

“Moshat e treta mund të kenë problematika, siç mund të jenë sëmundjet e ndryshme, problemet kardiake, diabeti melit, astma bronkiale, që me virozën bashkëngjitur e agravon situatën më tej,”  shton Dr. Mici.

Këshilla e mjekut për qytetarët është vaksinimi ndaj gripit për të shmangur komplikacionet në rast infektimi. Aktualisht ka nisur fushata e vaksinimit në popullatë, ndërkohë bëhet e ditur se i gjithë stafi që punon në urgjencën e spitalit është vaksinuar.

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›