Vitet e burgut në komunizëm, ish-të përndjekurit grevistë marrin paratë
Tiranë- Ish-të përndjekurit politikë dhe familjet e tyre, që morën pjesë në grevën e urisë do të marrin këstin e dytë të dëmshpërblimit për vitet e burgut në komunizëm.
Vetëm një javë pasi ndërroi jetë në një spital të Italisë, nga dëmtimet e marra për shkak të vetëdjegies me benzinë, familja e Lirak Bejkos do të tërheqë paratë e dëmshpërblimit të ish-të përndjekurit politik.
Së bashku me të janë edhe 7 ish-grevistë të tjerë që do të marrin këstin e dytë të dëmshpërblimit, që tashmë është depozituar në llogaritë e tyre bankare.
Mes emrave bie në sy ai i Gjergj Ndrecës, grevisti i parë që i vuri flakën vetes dhe tani ndodhet në ambjentet e spitalit të QSUT-së duke u kuruar për plagët e shkaktuara apo edhe Asllan Patriotit, i cili ndodhet në ‘arrest shtëpie’ pas akuzave për ndikim të jashtëligjshëm.
Dy emra të tjerë të shumëpërfolur nga lista e të dëmshpërblyerve janë edhe ata të Skënder Tufës dhe Fatmir Lamajt, koordinatorë të grevës së ish-të dënuarve politikë. Më herët kanë marrë paratë dy ish-grevistë, ndërsa në pagesat e kësaj radhe, Ministria e Financave ka në listën e saj plot tetë ish-të dënuar politikë grevistë të dëmshpërblyer.
Ministria e Financave ka bërë pagesën e radhës të këstit të dytë për 202 emra të rinj që përfitojnë nga ligji për ish të-dënuarit politikë.
/IDEA/