Viti 2010, vendimtar për Shqipërinë
“Viti 2010 do të jetë vendimtar për Shqipërinë. Ky vend ka nevojë për deficit të ulët buxhetor, në mënyrë që të fitojë besueshmëri tek investitorët, gjë që në këmbim sjell rritje investimesh dhe rritje ekonomike.” Ky është opinioni i kryeekonomistit për zhvillimin njerëzor te Banka Botërore, Indermit Gill, i cili vizitoi Shqipërinë gjatë ditëve të fundit. Deklaratat e tij u bënë në një konferencë të dedikuar për tre gazetarë.
“Shqipëria bëri përparime të dukshme në drejtim të stabilitetit makroekonomik në periudhën 2000-2007, duke ulur deficitin buxhetor. Por gjithçka duket se u zhbë gjatë dy viteve të fundit”, shtoi ai, duke iu referuar faktit se deficiti buxhetor u rrit nga 3-4 për qind në periudhën 2000-2007, në 7-9 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto në dy vitet e fundit. Deklaratat e tij në Tiranë shkaktuan debat të konsiderueshëm me zyrtarët e qeverisë. Ministri i Financave reagoi ndaj deklaratës së tij, duke thënë se Shqipëria e ka borxhin e mirëstrukturuar. Një zyrtar më i ulët i qeverisë komentoi jozyrtarisht studimet e BB-së për vendin tonë si “të dëmshme dhe dashakeqe, që synojnë uljen e besueshmërisë së vendit tonë përballë investitorëve të huaj”.
Kryeekonomisti Gill tha dje se ndoshta deklarata e tij në konferencë të martën mund të rishikohej, për shkak se në fund të fundit, arritjet e Shqipërisë në dekadën e fundit kanë qenë mbresëlënëse. Por vërejtjet e tij ndaj politikës së deficitit të lartë buxhetor që ka ndjekur qeveria gjatë viteve të fundit, mbeten të paprekura. Sipas Gill, deficiti i lartë buxhetor e bën vendin më pak të besueshëm në sytë e investitorëve, gjë që përkthehet në më pak investime e në më pak rritje ekonomike. Qeveria shqiptare ka premtuar të ulë deficitin buxhetor në 3.5 për qind të Prodhimit të Brendshëm
Bruto këtë vit, por askush nuk beson se kjo gjë mund të ndodhë.
“Unë jam nga shteti ku punoi Nënë Tereza dhe të gjithë në vendin tim jemi magjepsur nga Shqipëria, për shkak se ky vend na dha Nënë Terezën”, tha Gill, i cili e viziton vendin tonë për herë të parë.
I pyetur nga “Shqip” mbi faktin se përse Shqipëria pësoi rritje ekonomike gjatë vitit të krizës 2009, ndërkohë që vende të tjera pësuan rënie ekonomike, Gill tha: “Sa më i varfër je, aq më shumë mundësi ke të rritesh. Por rritja ekonomike bëhet gjithnjë e më e vështirë kur ngjitesh lart”, tha Gill. “Nëse analizojmë të gjitha vendet e botës, vërejmë se shumë vende kalojnë nga statusi i vendeve me të ardhura të ulëta, në statusin e vendeve me të ardhura të mesme, (kalojnë nga PBB për frymë nën 3000 USD në PBB për frymë mbi 3000. Sot Shqipëria e ka PBB për frymë 3800 USD). Por shumë pak vende kalojnë nga brezi i të ardhurave të mesme në brezin me të ardhura të larta”, shtoi ai. Tri vende në Europën Lindore kanë njohur rritje ekonomike: Polonia, e cila përfitoi veçanërisht nga stimujt fiskalë të qeverisë gjermane, Maqedonia dhe Shqipëria. Programi i Gjermanisë që u dha qytetarëve të vet 2500 euro për të braktisur makinën e vjetër për të blerë një të re, i mundësoi Polonisë të shesë dhjetëra mijëra makina. Sa për Shqipërinë dhe Maqedoninë, shpjegimi i Gill për rritjen ekonomike ishte i thjeshtë: Si vende të varfra, e kanë më të lehtë të rriten.
E ardhmja e pasigurtShqipëria ka përfituar nga një rritje prej 5-7 për qind në vit gjatë dy dekadave të fundit, rritje që konsiderohet e shkëlqyer nga ekonomistët, të cilët studiojnë vendet në zhvillim. Kjo do të thotë se Prodhimi i Brendshëm Bruto për frymë u rrit nga 200 dollarë në vitin 1990, në 3800 dollarë sot. Shkaku kryesor i rritjes duket se ka qenë fati i të qenët vend pranë Bashkimit Europian. Pra, Shqipëria ka qenë një ishull i varfër në një oqean të pasur. Por tani situata ka ndryshuar. Shqipëria nuk mund të ketë punëtorë në numër të pafund për të vijuar eksportin e emigrantëve. Përkundrazi, të ardhurat nga emigrantët po ulen dhe pritet të vijojnë të ulen, pavarësisht se edhe në kulmin e krizës, shqiptarët që jetojnë jashtë vendit dëshmuan se janë të gatshëm të paguajnë jetesën e familjeve të tyre edhe në kohë të vështira.
“Bëhuni pragmatikë, shfrytëzoni çdo mundësi që ju jepet. Investimet e huaja, fondet e zhvillimit, FMN e BB, duhet të përdoren nga ju”, sugjeron Gill, i cili mendon se modeli tashmë dy dekada i vjetër i zhvillimit të Shqipërisë, që u bazua tek integrimi rajonal dhe ndërkombëtar, duhet të mbetet i njëjtë. Vetëm se tani e tutje, integrimi nuk mund të konceptohet vetëm si heqje barrierash tregtare, por më së shumti si aftësim profesional i shqiptarëve, pra më shumë arsimim.
“Sfida për t’u rritur nga statusi i vendeve me të ardhura të mesme te statusi i vendeve me të ardhura të larta, është shumë e vështirë. është sfida e kalimit nga rritja e bazuar te të punuarit më shumë (të punuarit rëndë) te rritja e bazuar te novacionet (të punuarit më me cilësi)”, thotë Gill.
#