E Shtunë, 31 Tetor 2026

Viti Janis Ricos, një mbrëmje poetike kushtuar poetit të famshëm grek

Tiranë, 18 qershor 02:33:36 NOA Është Viti Janis Ricos dhe një mbrëmje poetike, ishte diçka e gjetur për të hyrë më thellë në botën e shkrimtarit që la gjurmë të thella në letërsinë greke të shekullit të kaluar.

Ministria greke e Kulturës dhe ambasada helene në Shqipëri, organizuan mbrëmjen e djeshme në teatrin Kombëtar në Tiranë, mbrëmjen poetike, U lindëm që të takoheshim, kushtuar poetit Janis Ricos.

Janis Ricos, cilësohet si një ndër poetët më të mëdhenj të shekullit të XX-të. Ai u lind në vitin 1909 dhe u nda nga jeta në vitin 1990.

Vepra e tij e parë është shqipëruar në fillim të viteve 60 dhe në vite ajo është pëlqyer veçanërisht nga publiku shqiptar.

Në mbrëmjen poetike kushtuar Janis Ricos, merrnin pjesë dashamirës të artit dhe kulturës dhe personalitete të jetës publike në vend e më gjerë.

Ambasadori i Greqisë në Tiranë, Nikolas Pazios, theksoi faktin se Ministria e Kulturës në Greqi e ka shpallur vitin 2009 si Viti Janis Ricos.

Ai lajmëroi se në vjeshtë do të ketë aktivitete të tjera në fushën e teatrit, muzikës dhe pikturës.

Këto aktivitete zhvillohen në Greqi, por janë shtrirë dhe në disa vende të tjera të Evropës.

Në mbrëmjen poetike u theksua fakti se Janis Ricos njihet shumë në Shqipëri.

Ai është përkthyer nga emra të njohur në vendin tonë si Besnik Mustafaj, Aurel Plasari, Spiro Çomorra, Llambro Ruçi etj.

Në aktivitet, u transmetua edhe një dokumentar në forjmën e një prezantimi audio-vizual, mbi jetën e poetit, që mbështetej në çastet më të rëndësishme të jetës së Janis Ricos.

Dokumentari që paraqiti shkurtimisht periudhat më me peshë të Ricos-it, është një realizim nga Qendra e Bibliotekës Kombëtare të Greqisë, por montazhi është kryer në vendin tonë.

I pranishëm në këtë mbrëmje poetike, shkrimtari ynë i njohur Besnik Mustafaj.

Unë do të doja të kisha këtë vullnet e durim, jo për greqishten e vjetër, por për atë të re, me qëllim që të mund të lexoja në origjinal veprën e shquar të Ricos, pohoi Mustafaj. Në skenë u ngjitën nxënës të Kolegjit jopublik Arsakeio, të cilët recituan poezi të Ricos.

Edhe studentë të degës së Gjuhës Greke në Universitetin e Tiranës, lexuan fragmente nga Këngët dyvargjëshe të Janis Ricos.

Sakaq, aktorët e mirënjohur të skenës dhe ekranit, Bujar Asqeriu dhe Sesilia Plasari recituan poezi të shqipëruara të autorit. Ndërsa aktorja Marsela Lena mori përsipër pjesën teatrale të poetit, Sonata nën dritën e hënës.

Kush është Janis Ricos

Janis Ricos është lindur në Monemvasia në vitin 1909 dhe vdiq në Athinë në 11 nëntor të vitit 1990. Vepra e tij përmban 120 botime, shumica të përkthyera në 18 gjuhë të ndryshme.

Përmbledhja e parë poetike, Traktor (1934) bëri përshtypje për idetë e reja, për autencitetin dhe pasurinë e shprehjes, sidomos në qarqet përparimtare greke. Titulli nuk është aspak i rastit pasi simbolizon ndryshimet e mëdha progresiste.

Në përmbledhjen e dytë të tij, Piramida (1936) poeti paraqitet si një poet shoqëror, shqetësimi dhe frymëzimi i të cilit përfshin larminë e jetës së përditshme, shqetësimet dhe dramat njerëzore, luftën për lirinë dhe dashurinë.

Më pas vjen Epitaf (1936), vepër e frymëzuar nga turbullirat e Selanikut dhe përleshjet e punëtorëve. Muzika që Mikis Theodhorakis kompozoi mbi këto vargje, do të ishte shkëndija e revolucionit kulturor në Greqi.

Poezia e Ricos-it shquhet për gjerësinë e ndjenjës së mendimit, për pasionet e fuqishme luftarake, larminë e pafund të pamjeve, variacioneve të motiveve, figurave, ritmeve të brendshme, duke paraqitur një botë të trazuar, brenga, ligjërime, himne, marshe për njeriun e thjeshtë grek.

Poezia duhet të jetë një prijës lufte dhe lumturie, një armë në duart e luftëtarit dhe një flamur në duart e lirisë, shkruante poeti i famshëm grek.

a.k/NOA

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›