Vizat, Kryeministri: Rregulla të forta për kalimin në kufi
Berisha në KNI: Lëvizja e lirë rrit trafikun
Kryeministri Sali Berisha kërkoi dje rregulla të forta, me qëllim forcimin e sigurisë në kufi në kuadër të liberalizimit të vizave. Ai garantoi tolerancë zero ndaj krimit të organizuar dhe penalizim të pushtetarëve që lejojnë mbjelljen e kanabisit. Duke folur në mbledhjen e Komitetit Ndërministror kundër Krimit të Organizuar, Kryeministri u shpreh se pas propozimit për liberalizimin e vizave është e nevojshme të shqyrtohet e gjithë baza ligjore që rregullon kalimin e fëmijëve në kufi, qofshin ata të shoqëruar nga prindërit e tyre. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të përcaktojmë objektiva të reja kundër trafiqeve, sidomos të fëmijëve dhe vajzave. Lëvizja e lirë në një mënyrë e bën realisht më të mundshëm. Ne i bllokuam skafet dhe bëmë mirë, sërish të bllokuara do të mbeten, pasi nuk kemi pse të kemi keqardhje për industrinë e mafias, por ne do të përcaktojmë disa rregulla shumë serioze, të cilat i ka bota e do ti kemi edhe ne për lëvizjen e fëmijëve. Duhet me shpejtësi të studiohet i gjithë legjislacioni, kushtet në të cilat një fëmijë kalon në pikat tona kufitare, - tha Berisha. Ai bëri thirrje më tej: Të zbatohet ligji që penalizon pushtetarët në vendet ku mbillet lëndë narkotike, pasi janë pikërisht ata zotër të vendit ku mbillet kanabisi. Duke kërkuar që të rriten investimet për të lehtësuar jetën e banorëve në zonat ku lëndët narkotike mbillen, si një mundësi për të mbijetuar, kreu i qeverisë, Berisha, nënvizoi se është bërë një punë e madhe në luftën kundër kanabisit, një punë që, sipas Berishës, u jep meritë të posaçme forcave të rendit.
Përgëzoj forcat e rendit, deputetët, të cilët kanë bërë një punë komunitare të dobishme në disa komuna të vendit, si Lazarat, dhe për këtë rëndësi të veçantë në këtë moment kanë investimet në këto zona, - theksoi Kryeministri. Z. Berisha foli edhe për çështjen e pastrimit të parave, duke thënë se janë jo një, por një seri rastesh, të cilat agjencia i ka nisur në prokurori për këtë vepër dhe prokuroria ka dhënë përgjigje negative. Nuk mund të them se ku qëndron e vërteta, por ajo që them, është që secili rast, një për një, duhet të analizohet bashkërisht, siç funksionon edhe task-forca e luftës kundër korrupsionit. Por duhet të ndalemi në mënyrë të veçantë tek krimi, sepse në rast se në krimin tjetër ekonomik, në luftën kundër korrupsionit, tani është konsoliduar një traditë penalizmi e padiskutueshme, në çështjen e pastrimit të parave kjo traditë është rudimentare. Kjo përparësohet dhe duhet të uleni së bashku me Prokurorinë e Përgjithshme. Procesi i larjes së parasë për ju është i qartë. Prokuroria e Përgjithshme ka rregullat e veta. Ky proces nuk është i komplikuar, por akoma nuk ka marrë përgjigjen e duhur institucionale nga ne dhe besoj se për këtë jemi dakord. Gjatë mbledhjes së djeshme të Komitetit Ndërministror për Integrimin, Kryeministri Berisha u shprehu anëtarëve të komitetit, drejtues të institucioneve dhe agjencive të ndryshme në vend, falënderimet për punën dhe përkushtimin në arritjen e vendimit historik të Komisionit Evropian për heqjen e vizave për Shqipërinë. Vendimi i KE-së, - tha Kryeministri, - për heqjen e vizave përbën vlerësimin më maksimal të kësaj pune, të reformave dhe të rezultatit të reformave, pasi njëra anë është të ndërmarrësh reforma, por problemi është produkti i tyre. Dhe është pikërisht produkti i këtyre reformave, rezultati dhe suksesi i tyre, ajo që ka shërbyer si bazë për këtë vendim të Këshillit të komisionerëve të Komisionit Evropian.
Kryeministri theksoi se ky vendim përbën edhe një përgjegjësi të re, më të madhe, për të ngritur në një nivel të ri luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe trafiqeve. Në këtë kontekst, Kryeministri u ndal në disa nga orientimet kryesore: konsolidimi i luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, përmirësimi dhe kompletimi i të gjithë kuadrit ligjor në luftën kundër krimit ekonomik, pastrimit të parave, shkatërrimit të bazës ekonomike të krimit, forcimi i luftës kundër kultivimit të bimëve narkotike, si dhe përcaktimi i objektivave të reja kundër trafiqeve, sidomos të fëmijëve dhe vajzave. Kryeministri kërkoi vendosjen e një bashkëpunimi më të ngushtë midis Agjencisë së Luftës kundër Pastrimit të Parave dhe Prokurorisë së Përgjithshme.