Vizita në Vatikan, Rama pritet në Pallatin Apostolik

Gjatë vizitës së tij në Vatikan, kryeministri Edi Rama është pritur në Pallatin Apostolik, në oborrin “San Damaso”, nga Prefekti i Shtëpisë Papnore dhe përfaqësues të Selisë së Shenjtë.
Më herët, kryeministri Rama zhvilloi një vizitë në Bazilikën e Zojës së Këshillit të Mirë, e njohur ndryshe si Regina di Albania, ku mbajti një lutje të posaçme kushtuar popullit shqiptar, familjeve dhe brezit të ri.
Në këtë vizitë, kryeministri Rama shoqërohet nga bashkëshortja e tij, Linda Rama, dhe i biri, Zaho.
Sipas axhendës zyrtare, kryeministri Rama do të zhvillojë gjithashtu një takim me Papa Leonin e XIV-të në Bibliotekën Papnore të Pallatit Apostolik.
Në përfundim të qëndrimit në Vatikan, Rama dhe bashkëshortja e tij do të vizitojnë vendvarrimin e Papa Françeskut në Bazilikën Santa Maria Maggiore.
/rtsh.al/