Vjedhja, arrestohet mjeku e farmacistja

Spitali Onkologjik i Tiranës
Skema korruptive që sorollaste pacientët e Spitalit Onkologjik të Tiranës në kërkim të ilaçeve për sëmundjet e rënda, ka marrë fund dje me arrestimin e një mjeku, farmacistes dhe një bashkëpunëtori të tyre në vjedhjen e medikamenteve. Pas një aksioni të koordinuar mirë, Njësia Task-Force e Prokurorisë së Tiranës dhe policia e kryeqytetit kanë vënë në pranga mjekun Nikoll Koleci, 43 vjeç, me aktivitet në klinikë private dhe gruan e tij, shtetasen Jetmira Koleci, 42 vjeçe. Gjatë aksionit të koduar me emrin Clexane, u arrestua edhe shtetasi Andonaq Zili, 38 vjeç, i akuzuar për bashkëpunim në vjedhjen e ilaçeve nga Spitali Onkologjik dhe shpërndarjen e tyre në farmaci të ndryshme në kryeqytet. Drejtori i Policisë së Tiranës, Sajmir Muça, në një deklaratë për median dje, tha se në kuadër të aksionit të kryer në bashkëpunim me Prokurorinë, janë arrestuar në flagrancë tre shtetasit e akuzuar për vjedhjen e ilaçeve të Spitalit Onkologjik dhe shitjen e tyre përmes një rrjeti farmacish private në Tiranë. Skema e shitjes së ilaçeve të vjedhura ka qenë e organizuar në formën e një kurthi të vërtetë ndaj njerëzve në fatkeqësi. Pacientët e spitalit të Onkologjikut, ku trajtohen të prekurit nga sëmundje të rënda si tumoret apo kanceri, pasi shkonin në spital dhe kryenin vizitat fillonin mjekimin, por ilaçet që me ligj duhej tu jepeshin falas, nuk gjendeshin në farmacinë e spitalit. Medikamentet, që me ligj duhej të jepeshin brenda spitalit dhe falas, sipas evidencave që bënte farmacistja Jetmira Koleci, ilaçet në fjalë mungonin në farmacinë e spitalit. Pacientët dhe të afërmit e tyre rropateshin me ditë në kërkim të barnave, derisa 42-vjeçarja u thoshte se dinte disa farmaci private ku të sëmurët mund ti gjenin ilaçet që kërkonin. Këto farmaci private, sipas hetimit të Policisë dhe Prokurorisë, kanë qenë pikërisht ato subjekte që furnizoheshin me ilaçe të vjedhura nga Spitali Onkologjik në Tiranë.
Abuzimi
Doktori Nikoll Koleci, së bashku me gruan e tij, sipas burimeve nga grupi i hetimit kanë vjedhur një sasi të konsiderueshme ilaçesh nga Spitali Onkologjik. Sipas hetuesve, dy bashkëshortet në afërsi të pallatit të tyre të banimit kishin përshtatur një apartament në katet e poshtme në formën e depos. Aty magazinoheshin barnat e vjedhura nga Onkologjiku dhe më pas shpërndaheshin në farmacitë private, pranë Qendrës Spitalore Universitare. Drejtori i Policisë së Tiranës tha dje se nga hetimet, ka dalë se doktori, e shoqja farmaciste dhe bashkëpunëtori i tyre, në bashkëpunim me persona të tjerë, realizonin vjedhjen e medikamenteve mjekësore të destinuara për përdorim Spitalor për pacientë të shtruar, si dhe atyre që trajtoheshin me medikamente falas pranë Spitalit Onkologjik në Tiranë. Nga hetimi rezultoi se medikamentet, të cilat ishin për përdorim të brendshëm, vidheshin nga shtetasit e mësipërm dhe më pas tregtoheshin, duke i shitur e përfituar shuma të konsiderueshme të ardhurash. Sipas Policisë, të arrestuarit pasi vidhnin medikamentet të cilat ishin për përdorim të brendshëm të spitalit, dhe që me ligj ndalohet shitja e tyre, detyronin pacientët që ndodhen të shtruar në spital, që të blinin medikamente pranë farmacive në afërsi të spitalit Nënë Tereza.
Të arrestuarit
1. Nikoll Prenush Koleci,
43 vjeç, banues në Tiranë, me profesion mjek. Ky është bashkëshorti i farmacistes së QSUT, i cili ka ideuar dhe ka organizuar gjithë veprimet me vjedhjen e ilaçeve në Onkologjik e deri tek shpërndarja e tyre në disa farmaci private, ku kishte lidhje për shkak të aktivitetit si mjek.
2. Jetmira Enver Koleci,
42 vjeçe, banuese në Tiranë, farmaciste në Qendrën Spitalore Nënë Tereza, Tiranë. Ka qenë pikërisht Jetmira Koleci ajo që ishte e autorizuar të furnizonte Onkologjikun me ilaçet e depos së QSUT, sipas recetave që lëshoheshin nga mjekët për medikamentet që nuk duhej të dilnin nga spitali e që, sipas ligjit, jepen falas për pacientët.
3. Andonaq Fiqiri Zili,
38 vjeç, banues në Tiranë. Person i njohur i farmacistes dhe mjekut. Sipas Policisë, ka ndihmuar në transportimin e ilaçeve nga depoja ku dërgoheshin pas vjedhjes nga Spitali Onkologjik, duke i shpërndarë më pas për në farmacitë private në kryeqytet.
Korrupsioni, nga emërimet politike
Pas arrestimeve të bluzave të bardha ka reaguar edhe Urdhri i Mjekut. Sipas kreut të tij, Dine Abazaj, mungesa e reformave dhe emërimet politike kanë sjellë këtë situatë në sistemin shëndetësor. Sipas Abazajt, edhe infrastruktura e vjetruar, pagat e vogla dhe cilësia e mangët e shërbimeve shëndetësore, ndikojnë gjithashtu në rritjen e numrit të mjekëve që marrin ryshfet. Faktorë të tjerë favorizues që ndikojnë në rritjen e korrupsionit janë administrata, që është më shumë e politizuar sesa administratë profesionale. Problemi zgjidhet vetëm nëpërmjet reformimit të këtij sistemi. Nëse nuk do të kryhen reforma që janë të domosdoshme në mjekësi, do të ketë vazhdimisht korrupsion dhe në vend që të vijë duke u përmirësuar, situata do të përkeqësohet, tha Abazaj.
Jakaj: Denoncimi u bë nga QKKB
Ka qenë Qendra e Kontrollit të Barnave që ka sinjalizuar policinë për vjedhjen e ilaçeve spitalore. Kreu i QKKB-së, Besnik Jakaj, tha dje gjatë një konference për shtyp, se falë pullës së vendosur vetëm dy muaj më parë, në të cilën shkruhet Medikament për përdorim spitalor, ishte më i lehtë identifikimi i barnave të dala nga pavijonet e QSUT-së. Të gjitha barnat që janë me pullën për përdorim spitalor, por dhe me vulën e vendosur nga subjektet farmaceutike që i kanë tregtuar në spital dhe këto barna do të verifikohen kur kanë dalë nga depoja e spitalit, kur janë blerë, te cila farmaci e cilit spital janë shitur, tha Jakaj.
Ivziku: Largim nga puna për abuzuesit
Vetëm njëri nga të arrestuarit për tregtim të barnave të spitalit është punonjës i spitalit Nënë Tereza. Bëhet fjalë për farmacisten e Shërbimit të Onkologjikut, Jetmira Koleci. Dy mjekët nuk janë të regjistruar si pjesë e stafit të spitalit. Këtë deklaroi dje në reagimin e tij, drejtori i QSUT, Saimir Ivziku. Ai u shpreh se nuk do të tolerohet askush që vë dorë mbi ilaçet dhe materialet e mjekimit. Çdo punonjësi që i konstatohet shkelje, largimi nga puna do të jetë i menjëhershëm dhe çështja do të shkojë për hetim. Ai shtoi se aktualisht një grup pune po merret me verifikimin në të gjitha hallkat të lëvizjes së medikamenteve, materialeve të mjekimit nga farmacia qendrore drejt farmacive periferike dhe në shërbimet përkatëse.
Bllokohen 8 milionë lekë ilaçe
Gjatë aksionit për arrestimin e mjekut Nikol Koleci dhe të shoqes, Policia e kryeqytetit tha se ka bllokuar një sasi të konsiderueshme ilaçesh. Në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar dy automjete, të cilat shërbenin për shpërndarjen dhe transportimin e medikamenteve të vjedhura, si dhe një sasi e konsiderueshme medikamentesh mjekësore, të cilat arrijnë vlerën rreth 80 mijë lekë të rinj, tha kreu i Policisë së Tiranës. Ai tha se medikamentet u gjetën në automjetet e shtetasve të mësiperm, si dhe në banesën e shtetasit Nikoll Koleci të vendosura në një ambient garazhi, në kushte jo të përshtatshme për ruajtjen e tyre.
Prokuroria: Ekspertizë për dëmin
Vjedhja e medikamenteve të Spitalit Onkologjik i ka shkaktuar shtetit dhe qytetarëve një dëm të konsiderueshëm financiar. Sipas burimeve nga Policia, çdo ilaç që ishte vjedhur nga spitali shitej në farmacitë private me 18-20 mijë lekë të rinj. Prokuroria tha se po bën një përllogaritje të sasisë së ilaçeve të vjedhura dhe caktimin e vlerës së