E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Vjedhja e 120 mijë eurove të ish-zyrtares nga pastruesja, Rama: Drejtësia të pastrojë llumin nga çdokush që vesh kostum zyrtar

Kryeministri Edi Rama ka vlerësuar punën e drejtësisë dhe nisjen e hetimeve për zbardhjen e origjinës dhe burimit të 120 mijë eurove që u vodhën nga pastrusja në shtëpinë e Alda Klosit, ish-shefe e kabinetit të Arben Ahmetajt.

Rama thekson se sot falë Reformës në Drejtësi po del “llumi i personave” që deri dje nuk hetoheshin për shkak se ishin veshur me “kostumin zyrtar”. Kjo, thotë Rama, vjen si pasojë e vullnetit politik që institucionet e drejtësisë të bëjnë punën e tyre.

Rama ka kërkuar që historive me para të pista t’u shkohet deri në fund dhe se forca e ligjit të mos ndalojë përpara askujt.

“Nuk e di kur do ta kuptojnë disa që Reforma në Drejtësi dhe forcimi i institucioneve ligjzbatuese bëhen pikërisht për të pastruar llumin! Prandaj kur del llumi falë punës së këtyre institucioneve, s’duhet harruar se këto janë provat e vullnetit tonë kundër korrupsionit! E thënë ndryshe, në një kohë tjetër policia apo drejtësia nuk ia nxirrnin kurrë lakrat në shesh njerëzve të veshur me kostum zyrtar, ndërsa sot kohët ndryshojnë përditë për mirë edhe në këtë drejtim! Sepse sot vullneti politik është i plotë dhe mburoja e vjetër politike ka rënë! Unë uroj vetëm që t’u shkohet sa më shumë deri në fund historive të ulëta me para të pista dhe forca e ligjit të mos ndalojë përpara askujt, kur faktet provojnë se është shkelur ligji për përfitime të paligjshme, nga kushdoqoftë”, shkruan Rama në twitter.

Prokuroria ka nisur një hetim për burimin e 120 mijë eurove që ish-shefja e kabinetit të Ahmetajt, Alda Klosi mbante në shtëpi. Gjithçka ka dalë në dritë nga zbardhja e vjedhjes së tyre nga Rozeta Dobi, e cila punonte si pastruese në shtëpinë e Klosit.

Rozeta Dobi në bashkëpunim me djalin e saj, Havier Dobi vodhën paratë dhe më pas e inskenuan ngjarjen si grabitje. Pas arrestimit të dy autorëve, policia gjatë kontrollit të banesës së tyre zbuloi mbi 400 mijë euro, 8500 dollarë dhe aksesorë floriri, të cilat tashmë janë sekuestruar nga policia.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›