Vladimir Prifti sjell Skënderbeun në 544-vjetorin e vdekjes

Vladimir Prifti
Në kinema Imperial u shfaqën dy pjesët e para të dokumentarit
Në pjesën e parë trajtohet prejardhja dhe rinia e Heroit, në të dytën krijimi i shtetit
Kush ishte Gjergj Kastriot Skënderbeu dhe si arriti ai të bashkonte shtetin shqiptar 6 shekuj më parë? Në 544-vjetorin e vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, regjisori Vladimir Prifti tenton që përmes një lënde të ngjeshur dokumentare të japë ca përgjigje. Skënderbeu, kështu titullohet dokumentari që regjisori i njohur shfaqi mbrëmë në kinemanë Imperial në qendrën Kristal, një prodhim i Eurofilm dhe Top Channel, me drejtor fotografie Erion Muharremin, montazh të Blerina Muharremit dhe muzikë të Aleksandër Peçit. Një vepër, e cila na vjen fillimisht përmes dy pjesëve, që më vonë do të pasohen nga të tjera. Mes imazheve nga vende, kështjella, relikte, gravura e zërave që duket sikur ngrihen nga e kaluara, pjesa e parë, e titulluar Principata e Kastriotëve, përfshin periudhën 1406-1450, e cila na njeh me prejardhjen e Skënderbeut dhe rininë e tij. Cila ishte përbërja e familjes së Gjon Kastriotit, vendlindja dhe shtrirja e zotërimeve të tij, por edhe e Vojsavës, nënës së Gjergjit. Më pas, ngjarjet na çojnë në oborrin e Sulltanit, ku Gjergji i ri u formua dhe u shndërrua në Skënderbe, një luftëtar me emër dhe fe myslimane, për të vijuar me kthimin në Shqipëri, deri tek rrethimi i parë i Krujës. Ndërsa pjesa e dytë, Shteti dhe simbolet, është një vështrim mbi ndërtimin e shtetit, strukturën organizative, karakterin politik, ushtrinë, flamurin, stemën, armët, vulat, etj. Vepra bazë ku është mbështetur Prifti, është Skënderbeu; Jeta dhe vepra e historianit Kristo Frashëri, i cili mbështetet në një dokumentacion të pasur dhe në veprat pararendëse të autorëve shqiptarë e të huaj, që nga Barleti, Frëngu, Bardhi, Gegaj, Noli, Buda, tek Biemi, Jorga, Marinesco etj. Kjo mori ngjarjesh dhe faktesh, shoqëruar me imazhe të vendeve, ku ato kanë ndodhur, janë lidhur, kompaktësuar përmes rrëfimit dhe ndërhyrjes së aktorëve Sokol Angjeli, Roza Anagnoti e Fatos Sela, të cilët ndihmojnë që dendësia e informacionit të vjelë nga arkivat më të njohura të Europës, të mos rëndojë mbi shikuesin.
historianet
Duke qenë një nga figurat më të lakuara, trajtimi i një dokumentari për Skënderbeun nuk ishte edhe aq i thjeshtë. Dokumentacioni rreth tij është shumë i pasur dhe duket se çdo ditë servir fakte të reja. Dhe pikërisht pasuria e kësaj dosjeje nuk e bënte aspak të lehtë ndërtimin e dokumentarit për regjisorin dhe skenaristin Vladimir Prifti. Ai ka zgjedhur skemën e bashkëbisedimit, ku historianë të njohur të periudhës së Mesjetës, si Luan Malltezi, Pëllumb Xhufi, Pranvera Bogdani e Moikom Zeqo sjellin gjykimin e tyre mbi këtë figurë dhe përmes tyre kalon një pjesë e mirë e gjithë materialit arkivor nxjerrë nga arkivat e Venedikut, Raguzës, Romës, Napolit, Milanos, Barcelonës, Parisit, Ankarasë, Stambollit.