E Diel, 1 Nëntor 2026

Vllaznia-Skënderbeu, katër gola pa fitues sfida hapëse e Superiores

TIRANË, 21 gusht /ATSH/ Ndeshja hapëse e edicionit të 88-të të kategorisë Abissnet Superiore, ajo mes Vllaznisë dhe Skënderbeut u mbyll me rezultatin 2-2 (Balaj 50′, 54′ (p) / 57′ Janaqi, 75′ Bismark).

Abissnet Superiore e sezonit 2026-2027 startoi sot në stadiumin “Loro Boriçi” me një përballje të luftuar mes Vllaznisë dhe Skënderbeut, dy skuadra të cilat që në nisje duket se luftojnë për objektiva të ndryshëm.

Një rezultat surprizë ky, pasi ekipi korçar shkonte në Shkodër pa blerjet e reja të merkatos së verës, për shkak se ka merkaton e bllokuar në FIFA. Por korçarët, duke luajtur me Bismark në mbrojtje, nuk ngurronin të kundërsulmonin dhe ishte Nasr ai i cili disa herë iu afrua golit.

Vllaznia përfitoi nga 5 minuta në pjesën e dytë, ku gjeti dy herë rrjetën me Balajn. Por Janaqi ktheu ekipin në lojë me një predhë nga distanca. Skënderbeu nuk ndali sulmet dhe në fund ia doli të shënonte me Bismark. Më pas, kishte kohë edhe për kartonin e kuq të Dulis i cili bëri që shkodranët të mbyllnin ndeshjen me 10 lojtarë, mes vërshëllimave të disa prej tifozëve të tyre të pakënaqur.

Kalendari i plotë i javës së parë të “Abissnet Superiore”:

Java 1
Vllaznia – Skënderbeu, 2-2
Partizani – Teuta, 22.08.2026, 16:00
KF Laçi – AF Elbasani, 22.08.2026, 16:00
Dinamo City – FK Vora, 23.08.2026, 21:00
Egnatia – Tirana, 23.08.2026, 21:00

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›