Vllaznia, kampione e dorezave mes sherresh

Kampionati kombëtar i boksit për të rritur, që për tre ditë është zhvilluar në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi” në Shkodër është mbyllur në mënyrën më të shëmtuar të mundshëm. Dyluftim në ring për shkak të konkurrencës, por dhe në parket, ndërsa sebepi i sherrit është kthyer ndeshja e peshës 75 kilogram, Arjon Kajoshi i Vllaznisë me Alban Beqirin e Tiranës. Vendimi i gjyqtarisë për t’i dhënë fitoren boksierit shkodran nuk është pritur mirë nga stafi i Tiranës, që ka kontestuar atë që është dhënë në favor të Kajoshit.
Madje është dyshuar prej bardhebluve se vendimi është përmbysur nga kryegjyqtari i kampionatit, Baftjar Abazi. E në këtë moment Tirana ka vendosur të tërhiqej nga aktiviteti. Por në dalje e sipër pikërisht trajneri i Tiranës, Sead Bushati, është provokuar e më pas është goditur, ndërsa ka nisur dhe një sherr masiv në parket. Ndërhyrja e organizatorëve dhe më pas edhe e policisë së rendit rivendosi normalitetin në Pallatin e Sportit, por Tirana nuk u kthye më në aktivitet.
Për ngjarjen në fjalë, ndërsa me rregullore u prit rreth një orë për rikthimin e Tiranës në aktivitet, drejtuesit e Federatës Shqiptare të Boksit organizuan një mbledhje urgjente, ndërsa u vendos që të vazhdohej kampionati aty ku u ndërpre. Në përfundim Vllaznia është shpallur kampione për herë të 24-tërt, kurse boksieri më i mirë i kampionatit u shpall Krenar Zeneli i Flamurtarit. Më tekniku Shpëtim Bajoku i Vllaznisë dhe më luftaraku Mikel Çullhaj i Studentit.
Me diplomë është vlerësuar edhe shkodrani Oltion Kraja si gjyqtari më i mirë i aktivitetit, kurse Federata Shqiptare e Boksit ka dhënë një “Mirënjohje” për ish-trajnerin e Vllaznisë dhe të kombëtares, Jozef Sermi, që jeton prej një viti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.