E Diel, 1 Nëntor 2026

Vllaznia ndalet në Ballsh, Elbasani fiton në transfertë

TIRANË, 21 shkurt/ATSH/ U luajtën sot dy ndeshje të vlefshme për javën e 25-të të kategorisë Abissnet Superiore, ku bie në sy humbja e kryesuesve të Vllaznisë në Ballsh, si dhe fitorja në transfertë e AF Elbasanit.

Në stadiumin e Vorës verdheblutë e AF Elbasanit kaluan të parë në avantazh me Olberkis. Më pas ishte Kasalla nga Vora, që me supergolin e tij riktheu baraspeshën në pjesën e parë.

Elbasani u tregua më kërkues në pjesën e dytë. Falë një penalltie të kontestuar u fituan edhe 3 pikë të arta. Vendësit nuk ishin dakord me vendimin e gjyqtarit Kreshik Barjamaj, ndërsa edhe Eldorjan Hamiti e konfirmoi në VAR. Arsen Lleshi u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltive.

Në përballjen Bylis-Vllaznia të luajtur në stadiumin “Adush Muça”, emocionet erdhën vetëm në pjesën e dytë, me vendasit që kaluan në avantazh me Stoilov në minutën e 48’.

Shkodranët u munduan të rikthenin baraspeshën, por në minutën e 97’, Sanogo shënoi edhe të dytin.

Rusta la takimin të luhej edhe për pak minuta, me shkodranët që ngushtuan diferencën me anë të Tafilit, që shërbeu vetëm si statistikë.

Të premten Egnatia mori një fitore shumë të rëndësishme për renditjen dhe moralin, duke mposhtur Dinamon 1-0 në një ndeshje direkte për “Final 4”. Kjo fitore ka ardhur në minutat shtesë me Rodrigues (90’+2), pas një ndeshjeje të luftuar mes dy skuadrave që ishin të kujdesshme për të shmangur humbjen.

Kështu, Vllaznia vijon të qëndrojë në krye me 48 pikë, dy më shumë se ndjekësit e Egnatias dhe tri më shumë se AF Elbasani, ndërsa Bylisi kalon momentalisht Tiranën dhe ngjitet në zonën play-out.

Java mbyllet të dielën me dy takimet e fundit. Në orën 13:30, Tirana pret Teutën në stadiumin “Selman Stermasi”, ku bardheblutë kërkojnë rikthimin te fitorja pas humbjes në derbi, ndërsa durrsakët synojnë vazhdimësinë e rezultateve pozitive.

Në orën 16:30 luhet edhe sfida Flamurtari – Partizanit në stadiumin “Flamurtari”, një përballje që pritet të jetë e luftuar pasi të dy ekipet synojnë maksimumin.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›