E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vlorë- Mbetën në det të hapur dhe në mëshirë të dallgëve përballë Gjirit të Gramës, policia Kufitare dhe Roja Bregdetar shpëtojnë dy të huaj që udhëtonin me veliere

Udhëtimi me një mjet lundrues veliere, është kthyer në dramë për dy të huaj, një gjerman dhe një zviceran, të cilëve u ishte  prishur motori përballë Gjirit të Gramës, duke mbetur në det të hapur në mëshirë të dallgëve.

Lajmi bëhet i ditur nga policia Kufitare e Vlorës dhe Roja Bregdetare, të cilat informojnë se u kanë ardhur në ndihmë dy shtetasve të huaj që lundronin me një veliere, e cila kishte pësuar defekt në motor dhe kishin mbetur në det të hapur.

Sipas njoftimit për shtyp. gjatë ditës së sotme, DVKM Vlorë ka marrë njoftim se dy shtetas të huaj, në bordin e një mjeti lundrues që ndodhej rreth 5 milje në det të hapur, përballë Gjirit të Gramës, kishin nevojë për ndihmë.

“Menjëherë pas marrjes së njoftimit, janë organizuar shërbimet e Policisë Kufitare, ku mjeti lundrues i Stacionit të Policisë Kufitare Dhërmi është nisur drejt koordinatave të dhëna, për të bërë të mundur lokalizimin dhe ndihmën ndaj dy shtetasve, të cilët rrezikoheshin edhe për shkak të dallgëve. Njëkohësisht, patrulla kufitare tokësore ka mbajtur nën vëzhgim të vazhdueshëm velieren.

Pavarësisht kushteve të vështira, pas disa orësh ndërhyrjeje dhe në koordinim e bashkëpunim me ekuipazhin e Rojës Bregdetare, u bë e mundur shoqërimi i velieres dhe drejtimi i saj i sigurt në Gjirin e Porto Palermos. Dy shtetasit e huaj ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.”, njofton policia.

Policia Kufitare deklaron se vijon të jetë në shërbim të qytetarëve dhe turistëve, duke garantuar sigurinë në hapësirat detare dhe ndihmën e menjëhershme në çdo situatë emergjente.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›