E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vodhën mobilierinë ku punonin/ Dy të arrestuar në Tiranë, i shkaktuan biznesit një dëm prej 16 milionë lekësh

Policia e Tiranës ka ndaluar dy persona dhe dy të tjerë i ka proceduar penalisht për vjedhje. Ata akuzohen se kanë vjedhur materiale pune në mobilierinë ku ishin të punësuar.

Sipas policisë, këta persona, i kanë shkaktuar një dëm prej 16 milionë lekësh biznesit në fjalë.

Hetimet kanë zbardhur edhe skemën që përdornin punëtorët. Ata merrnin materiale pune dhe më pas prodhonin mobilieri duke i shitur pa i deklaruar.

Njoftimi i Policisë: 

Vodhën në mobilierinë ku punonin, materiale pune, prodhuan mobilie dhe i shitën pa i deklaruar, vihen në pranga 2 shtetas, procedohen penalisht 2 bashkëpunëtorët e tyre.

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në kuadër të veprimeve hetimore të kryera mbi kallëzimin e adiministratores së një kompanie me veprimtari në fushën e prodhimit dhe tregtimit të mobilieve, për vjedhje nga disa punonjës, organizuan dhe finalizuan në drejtimin e Prokurorisë, operacionin policor të koduar “Wrong Calculation”.

Si rezultat i operacionit:
-u ndaluan shtetasit  31 vjeç, 35 vjeç, me detyra respektive magazinier dhe përgjegjës në një mobilieri;
-nisi procedimi penal për shtetasit 47 vjeç dhe 32 vjeç, me detyra përgjegjesa në mobilieri.

Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke shpërdoruar detyrat, kanë vjedhur materiale pune, kanë prodhuar mobilie me to dhe i kanë shitur ato, pa i deklaruar. Ata i kanë shkaktuar kompanisë, 16 milionë lekë të rinj dëm.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›