E Enjte, 5 Nëntor 2026

Vodhën para pa fund në shtëpinë e zyrtares së Ministrisë/ Apeli lë në burg pastruesen dhe djalin e saj

Gjykata e Apelit refuzoi kërkesën për liri të nënë e bir, pastrueses Rozeta dhe Havier Dobi për grabitjen e 120 mijë eurove në shtëpinë e ish-zyrtares Alda Klosi.

Apeli nuk pranoi të ndryshonte masën e sigurisë për Havier Dobin me argumentin se ai ka qenë bashkëpunëtor me të ëmën në vjedhjen e parave. Ndërkaq, sanitarja Rozeta Dobi mësohet se nuk ka kërkuar zbutje të masës së sigurisë dhe ka pranuar fajësinë.

Ajo përjashtoi të birin nga vjedhja spektakolare dhe i tha trupës gjykuese se këtë veprim e ka realizuar e vetme, pa pjesëmarrjen e tij.

Por pretendimet e saj nuk janë marrë parasysh nga togat e zeza, pasi organi i akuzës disponon dy prova që implikojnë direkt edhe Havier Dobin.

Kamerat e sigurisë të pallatit ku banon ish-zyrtarja Klosi kane fiksuar te riun duke pritur të ëmën bashkë me kasafortën ku gjendej shuma marramendëse e parave.

Edhe momenti i arrestimit të Havier Dobit me 50 mijë euro në xhep, përbën një provë të pakontestueshme të përfshirjes së tij vjedhje.

Vetë, Alda Klosi që ka mbajtur detyrën e shefes së kabinetit te ish- zv.kryeministrit, Arben Ahmetaj, ka deklaruar se shuma e parave nuk i përket asaj, por xhaxhait që vuante nga sëmundje e rëndë.

Nënë e bir, u zbuluan për vjedhjen e 120 mijë eurove pas kallëzimit të bërë nga ish-zyrtarja Klosi.

Por kanë qenë përgjimet ambientale në qelinë e paraburgimit që zbuluan edhe një shumë tjetër prej 400 mijë eurosh në tubin e ajrimit të shtëpisë së familjes Dobi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›