E Diel, 1 Nëntor 2026

Vokshi: Shqipëria në regres demokratik, rikthim urgjent për monitorim të plotë

TIRANË, 22 prill /ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike dhe njëkohësisht zv.kryetare e EPP Women, Albana Vokshi, i është drejtuar me një pyetje zyrtare Komitetit të Ministrave në Këshillin e Europës lidhur me zhvillimet e fundit në standardet demokratike në Shqipëri.

Në kërkesën e saj, Vokshi shpreh shqetësimin për atë që e cilëson si regres në funksionimin e demokracisë pas përfundimit të procesit të monitorimit ndërkombëtar.

Ajo i referohet vlerësimeve të V-Dem Institute, sipas të cilave Shqipëria klasifikohet si “autokraci elektorale”.

Sipas deputetes, disa prej çështjeve kryesore që kërkojnë vëmendje përfshijnë përqendrimin e pushtetit, funksionimin e proceseve zgjedhore, rolin e kontrollit parlamentar, si dhe nivelin e korrupsionit dhe mekanizmat e llogaridhënies institucionale.

Ajo kërkon nga Komiteti i Ministrave një vlerësim mbi përmbushjen e detyrimeve të Shqipërisë si vend anëtar dhe pyet nëse po shqyrtohen mekanizma shtesë monitorimi, përfshirë mundësinë e rikthimit në një proces të plotë mbikëqyrjeje.

Në një reagim, Komiteti i Ministrave konfirmon se ka marrë kërkesat me shkrim nga deputetja shqiptare dhe thekson se përgjigjet do të jepen në përputhje me procedurat përkatëse.

Institucioni nënvizon pritshmërinë që të 46 shtetet anëtare të respektojnë angazhimet e tyre në kuadër të Këshillit të Europës, duke theksuar gjithashtu se ekspertiza e tij mbetet në dispozicion për të mbështetur reformat dhe përafrimin me standardet evropiane.

/gj.m/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›