Volejboll Meshkuj/Anton Qafarena, triumf i trefishtë në Ukrainë
Volejbollisti i Kombëtares kuqezi të meshkujve, Anton Qafarena, është shpallur të enjten kampion i Ukrainës me skuadrën e tij, Barkom Kazhanin, e cila e ka mbyllur në 3 përballje finalen e “play-off”-it për titull. Duhet theksuar se Qafarena përmbyll një sezon të jashtëzakonshëm në volejbollin ukrainas, ku i ka fituar të gjitha trofetë e mundshme, titullin kampion, Kupën dhe Superkupën e Ukrainës e duke spikatur me paraqitjen e tij.
Në ditët e fundit të dhjetorit, volejbollisti shkodran, ka fituar Superkupën në Ukrainë dhe është shpallur madje lojtari më i mirë i finales (MVP) me 19 pikë të shënuara, duke kurorëzuar kështu me sukses vitin 2020. Ndërkohë, në mars, 23-vjeçari fitoi me skuadrën e tij edhe Kupën e Ukrainës dhe triumfi në kampionat të enjten kurorëzon kështu një sezon të jashtëzakonshëm për të.
Në fakt, skuadra e Qafarenës e ka mbizotëruar sezonin e rrjetës së meshkujve në Ukrainës, duke e mbyllur në vendin e parë në kampionat dhe duke vijuar të kualifikohet automatikisht për në gjysmëfinale të “play-off”-it.
Barkom triumfoi në 3 ndeshje në duelin gjysmëfinale ndaj Zhitiçi Zhitomirit, të cilën e pati mposhtur në Superkupë në dhjetor, duke vijuar ta mbyllë edhe duelin final në 3 ndeshje ndaj Epicentr Padolias, madje duke i fituar të 3 takimet në 3 sete.
Kjo paraqitje e shkëlqyer e Anton Qafarenës është një ogur i mirë edhe për Kombëtaren e volejbollit të meshkujve, që ka nisur grumbullimin për pjesëmarrjen në Eliminatoret e Europianit.