Von der Leyen: Komisioner të posaçëm për zgjerimin e Bashkimit Europian

TIRANË, 2 shtator/ATSH/ Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen deklaroi sot se shumë shpejt do të emërohet një komisioner i dedikuar për zgjerimin e Bashkimit Europian, pasi zgjerimi duhet të jetë një punë me kohë të plotë.
Në fjalën e saj, në Forumin Strategjik të Bledit, Slloveni, Von der Leyen theksoi se do të jenë reformat që do të ndërmarrin vendet e Ballkanit Perëndimor ato që do të përcaktojnë edhe kohën e integrimit në BE.
Ajo foli edhe për ndikimin rus në rajon.
“Udhëheqja aktuale ruse që jeton të shkuarën e refuzon të pranojë këtë realitet të thjeshtë sa herë ka progres drejt pajtimit e integrimit rajonal në Ballkanin Perëndimor, Kremlini përpiqet të trazojë ujërat e konflikteve të vjetra. Rusia është vazhdimisht në punë për të mbjellë përçarje brenda Ballkanit Perëndimor dhe midis BP dhe pjesës tjetër të Europës”, u shpreh Von der Leyen.
Por, theksoi ajo, shumica dërrmuese e njerëzve nuk duan fragmentarizim.
“Ata duan integrim dhe kjo është ajo çfarë duhet të japim atyre”, shtoi Presidentja e KE-së.
Vod der Leyen po ashtu solli në vëmendje se gjatë mandatit të parë në krye të Komisionit Europian, zgjerimi u kthye në krye të axhendës politike.
“Lufta e shkallës së plotë të Rusisë në Ukrainë është një pikë kthese për Europën, si ajo në 1989-ën, edhe pse jetojmë në një botë ndryshe. Jemi të detyruar të rikonceptojmë objektivat dhe politikat tona. Nëse duam të bëjmë Europën ekonomikisht konkurruese dhe të aftë të mbrojë veten, dhe nëse ky është objektivi ynë kryesor, atëherë e shoh integrimin e BP në BE si thelbësisht të rëndësishëm”, theksoi ndër të tjera Vod der Leyen.
Në epokën e rivaliteteve gjeostrategjike, vijoi më tej ajo, një BE më e madhe, na jep një zë më të fortë, një treg më i madh i përbashkët rrit konkurrueshmërinë tonë dhe natyrisht pozitën tonë si partner tregtar.
“Na jep mjetet për t’ju përgjigjur shantazheve e konkurrencës së pandeshme, një fuqiberëse të përbashkët më të madhe. Zgjerimi është një investim në forcën dhe sigurinë tonë kolektive”, deklaroi Presidentja e KE-së.
Më vonë, gjatë këtij muaji, informoi Von der Leyen, 6 partnerët tanë do të miratojnë axhendat e tyre të reja të reformave.
“Janë identifikuar disa reforma me efekt të thellë e që priten, duke filluar nga reforma në sistemin e drejtësisë, lufta kundër korrupsionit, prokurimet publike, integrimi i tregut të energjisë. Këto axhenda reformash lidhen me 6 miliardë euro investime. Çdo reformë do të çkyçë investime të reja, ndaj ky plan rritjeje është i njëjti model si plani ynë i rimëkëmbjes. Parimi është “reformat marrin investime””, deklaroi presidentja Von der Leyen.
Kur këto reforma të jenë kryer, vuri në dukje ajo, secili partner do të marrë aq ndihmë për person, sa do të merrte BP në kuadër të politikës së kohezionit të BE.
“Ky është një hap shumë i madh përpara. Është kaq i rëndësishëm, sepse BE është në një proces të rikrijimit të vetes në kontekstiti e ri gjeopolitik. Dhe duam që partnerët tanë në BP të jenë pjestarë aktivë të bashkëbisedimit për të ardhmen e BE-së.
Duke qenë se kemi shumë miq këtu sot, nga vendet kandidate në auditor, më lini të jem e qartë: dua që puna jonë të përshpejtohet edhe më tepër. Në Komision, zgjerimi duhet të jetë punë me kohë të plotë që mundëson dhe një vëmendje të pashkëputur. Kësisoj do të emërojmë një komisioner të dedikuar për zgjerimin. Le ta shkruajmë së bashku të ardhmen. Vullneti ynë politik për të integruar vendet e rajonit sa më shpejt të jetë e mundur vjen krah vendosmërisë sonë të palëkundur që BE është një bashkësi demokracish. Çdo kompromis i parimeve tona demokratike do të ishte fatal për arritjen e objektivave tona”, tha ajo.
/r.e/